Irani refuzon negociatat me SHBA-në, ndërsa Trump paralajmëron hakmarrje të fuqishme
Kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, konfirmoi refuzimin e negociatave me Shtetet e Bashkuara, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, premtoi ta ndëshkojë Teheranin me “forcën e plotë” të ushtrisë amerikane.
Larijani, tha se Teherani “nuk do të negociojë” me Uashingtonin.
Ai i bëri komentet disa orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zotua se do të vazhdojë t’i ndëshkojë “terroristët” me “forcën e plotë” të ushtrisë amerikane.
Në një postim në rrjetin X, Larijani shkroi: “Ne nuk do të negociojmë me Shtetet e Bashkuara. Sot, kombi iranian po mbron veten”
Ai shtoi se operacionet luftarake në Iran “po vazhdojnë me forcë të plotë” dhe “do të vazhdojnë derisa të arrihen të gjitha objektivat tona”.
Të dielën, në një video gjashtëminutëshe që postoi në platformën e tij Truth Social, Trump tha se lufta kundër Iranit mund të zgjasë katër javë, megjithëse u duk se e la derën hapur për bisedime të mëtejshme me udhëheqësit mbijetues në Teheran.
“Në 36 orët e fundit, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre po kryejnë Operacionin Tërbimi Epik – një nga ofensivat ushtarake më të mëdha, më komplekse dhe më dërrmuese që bota ka parë ndonjëherë”, tha Trump.
Raketa dhe dronë iranianë goditën vende të Gjirit Persik që strehojnë baza ushtarake amerikane, përfshirë Kuvajtin, Katarin dhe Bahrejnin, duke shkaktuar dëme materiale dhe tensione të larta.
Izraeli goditi objektiva të Hezbollahut në Liban, pas një sulmi me raketa dhe dronë nga grupi i mbështetur nga Irani drejt veriut të Izraelit.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi për nevojën e mbrojtjes së spitaleve dhe tha se OBSH-ja po heton dëmet që sulmet izraelite dhe amerikane dyshohet se kanë shkaktuar në një spital në Teheran.
Ghebreyesus shprehu shqetësim pas raporteve fillestare për dëme në Spitalin Gandhi në Teheran, si pasojë e sulmeve ajrore izraelite dhe amerikane.
Në një postim në rrjetin X, Ghebreyesus tha se OBSH-ja po i heton dhe verifikon këto raporte.
“… por, ato shërbejnë si një kujtesë se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për të parandaluar që institucionet shëndetësore, të përfshihen në konfliktin e vazhdueshëm. Objektet shëndetësore mbrohen me ligjin ndërkombëtar humanitar”, tha Ghebreyesus./REL
Fraksion.com


