AktualitetTë fundit

Tiranë, sekuestrohen mbi 10 mijë suplemente ushqimore dhe bimore të skaduara

Policia e Tiranës sekuestroi sot mbi 10 mijë suplemente ushqimore dhe bimore, të cilat mbaheshin në një magazinë për llogari të një subjekti me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit digjital.

Sipas njoftimit për shtyp të Policisë, operacioni i koduar “Audienca” u finalizua pas një hetimi me metoda proaktive, kryer në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të dokumentuar paligjshmëritë që kryheshin në këtë magazinë në kryeqytet.

Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e subjektit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare gjetën dhe sekuestruan suplementet ushqimore dhe bimore të skaduara, pa pullën e Agjencisë së Barnave dhe pa atë të Ministrisë se Financave, si dhe pa etiketa në gjuhën shqipe.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim administratori i subjektit, shtetasi nga Bosnja dhe Hercegovina, J. T., 53 vjeç, si dhe u proceduan penalisht punonjësit që ishin në ambientet e subjektit, shtetasit J. G., 30 vjeç dhe M. Ç., 26 vjeç.

Sipas Policisë, po punohet për kapjen e 53-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com