Rama uron pavarësinë e Kosovës: Keqardhje që s’mund të jem në manifestimin për ish-krerët e UÇK-së
Kryeministri Edi Rama ka uruar Kosovën me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, ndërsa ka publikuar edhe foto nga vizita që zhvilloi një ditë më parë në Prishtinë.
Rama shpreh keqardhjen që nuk mund të jetë i pranishëm në protestën që do të zhvillohet në solidaritet të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“I uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”, shprehet Rama.
Kryeministri Rama u takua dje me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti si dhe mori pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, akademik dhe ish-ambasador i Kosovës, i cili trajton procesin gjyqësor në Hagë ndaj udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri vuri në dukje dallimin thelbësor mes luftës çlirimtare të UÇK-së dhe krimeve të regjimeve përgjegjëse për spastrime etnike në rajon, duke nënvizuar se drejtësia ndërkombëtare nuk duhet të barazojë agresionin me rezistencën për liri.

