“Përmirësim gradual i situatës së përmbytjeve”, Çako: Disa qarqe vazhdojnë të paraqesin risk më të lartë
Situata e krijuar nga përmbytjet në disa zona të vendit po shkon drejt stabilizimit, ndërsa strukturat e Mbrojtjes Civile, pushteti vendor dhe institucionet e tjera vijojnë punën në terren për menaxhimin e emergjencës, rehabilitimin dhe evidentimin e dëmeve.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako bën një pasqyrë të detajuar të situatës më të fundit, masave të marra dhe procesit të vlerësimit e kompensimit të dëmeve.
Sa i përket situatës nga përmbytjet në rang kombëtar dhe zonat që vijojnë të paraqesin risk më të lartë, Çako thekson se, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Mbrojtjes Civile, situata në rang kombëtar po përmirësohet gradualisht, teksa në të gjitha qarqet, vijon puna për pastrimin e rrugëve nga inertet dhe për rikthimin e qarkullimit normal.
Megjithatë, nënvizon Çako disa qarqe vazhdojnë të paraqesin risk më të lartë dhe probleme specifike
“Në qarkun Shkodër sipas raportimeve nga strukturat vendore janë rreth 1,000 ha tokë bujqësore ende nën ujë, kryesisht të mbjella në grurë. Në qarkun Fier vazhdon të ketë problematika për shkak të çarjes së argjinaturës në lumin Seman. Janë përmbytur toka bujqësore në fshatrat Hasturkas dhe Ndërnënas, Njësia Administrative Libofshë. Në fshatin Hasturkas ka prezencë të ujit në rreth 20-25 banesa dhe disa stane me bagëti. Në Ndërnënas janë evakuuar 5 familje. Në terren po operojnë 25 trupa të Forcave të Armatosura me 2 mjete me kalueshmëri të lartë dhe 2 motorbarka për evakuim, 10 efektivë të MZSH Fier dhe 25 forca policore”, informoi Çako.
“Në qarkun Korçë, bashkia Maliq, vazhdon puna për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Devoll. Në qarkun Lezhë, po vijon puna për devijimin e shtratit të lumit Fan i Vogël, në lagjen Donaj të fshatit Kodër, Rrëshen, ku është konstatuar gërryerje e tokës. Përpjekjet po përqendrohen në stabilizimin e zonës dhe parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme në infrastrukturë dhe prona bujqësore”, u shpreh Çako për ATSH.
Për qarqet e tjera, shton ai, vijon puna për kriposjen e rrugëve ku ka pasur deborë dhe pastrimin e inerteve.
Sa i përket menaxhimit të situatës dhe mbrojtjes së qytetarëve, Kreu i AKMC thekson se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, si institucioni përgjegjës për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore dhe si koordinator i të gjitha strukturave, ka marrë disa masa konkrete.
Kështu, së pari AKMC ka njoftuar të gjitha njësitë e pushtetit vendor mbi pritshmëritë dhe rreziqet e mundshme, bazuar në njoftimet sinoptike dhe parashikimet e shërbimeve meteorologjike për marrjen e masave parandaluese.
Çako pohoi se çdo kërkesë e ardhur nga pushteti vendor, përmes prefektëve të qarqeve, është plotësuar me mbështetje konkrete, nga strukturat e forcave të armatosura, shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, policisë së shtetit, urgjencës mjekësore dhe vullnetarëve duke përfshirë varka shpëtimi dhe mjete të tjera për evakuim, burime njerëzore dhe trupa operacionale, kamionë me kalueshmëri të lartë, pajisje të rënda si fadroma, pako ushqimore dhe ndihma të tjera emergjente.
Gjithashtu, shprehet Çako , janë kryer evakuime të banorëve të përmbytur, të cilët janë strehuar në objekte shtetërore dhe tek familjarët e tyre, të koordinuar nga strukturat e njësive të pushtetit vendor, duke garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre gjatë periudhës së emergjencës.
Ndërkaq, ndërsa situata e përmbytjeve normalizohet, ka nisur edhe evidentimi i dëmeve.
Çako informoi se grupet e punës të ngritura nga bashkitë e prekura janë angazhuar në mbledhjen dhe verifikimin e të dhënave operacionale mbi dëmet në banesa, bujqësi dhe infrastrukturë.
“Me stabilizimin e situatës dhe përfundimin e fazës së menaxhimit të emergjencave, do të kalohet në fazën e rehabilitimit, ku grupet e punës dhe komisionet përkatëse do të vijojnë me vlerësimin e plotë teknik dhe financiar të dëmeve të evidentuara”, u shpreh Çako për ATSH.
Kreu i Emergjencave Civile shton se, pas përfundimit të vlerësimit dhe miratimit nga njësitë e pushtetit vendor, do të hapet rruga për procesin e kompensimit dhe dëmshpërblimit për qytetarët dhe subjektet e prekura, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
Baza kryesore ligjore e kompensimit të dëmeve mbështetet në ligjin “Për Mbrojtjen Civile”, ndërsa procedurat konkrete të dhënies së ndihmës shtetërore financiare rregullohen nga VKM e vitit 2012.
Në zbatim të këtij kuadri ligjor, me urdhër të kryetarit të Bashkisë ngrihet fillimisht Grupi i Konstatimit të Dëmeve, i cili kryen inventarizimin paraprak të dëmeve në terren. Më pas, ngrihet Grupi i Vlerësimit të Dëmeve, i cili realizon vlerësimin teknik dhe financiar sipas çmimeve referuese dhe metodologjive të miratuara nga institucionet përkatëse”.
Pas përfundimit të vlerësimit financiar dhe përgatitjes së listave emërore të përfituesve, kompensimi mbulohet fillimisht nga fondet e bashkisë përkatëse.
Në rastet kur vlera e dëmeve tejkalon mundësitë financiare të njësisë vendore, kërkesa përcillet nëpërmjet Prefektit pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), e cila vlerëson mundësinë e financimit nga fondet për emergjencat civile ose, sipas rastit, përmes një Vendimi të posaçëm të Këshillit të Ministrave.
“Ky proces synon garantimin e transparencës, ligjshmërisë dhe trajtimit të barabartë të subjekteve të dëmtuara, duke kontribuar në rimëkëmbjen dhe rikthimin në normalitet pas situatave të emergjencës”, përfundoi drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.
Fraksion.com

