Ekzekutimi i gjyqtarit Kalaja pasi dha vendimin: “Blindohet” gjykata, sot seancë mbi masën e sigurisë për 3 të arrestuarit
Zhvillohet sot seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre të arrestuarve në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, në ambientet e Gjykatës së Apelit.
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të tre të arrestuarit. Elvis Shkambi, 30 vjeç, Autori i vrasjes së gjyqtarit dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt, babë e bir, përballet me tre akuza: vrasje e funksionarëve publikë, vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër palëve të përfshira kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve.
Organi i akuzës mbështet dyshimet e tij në deklaratat kërcënuese që 56-vjeçari ka bërë më herët në media, ku ka folur hapur për hakmarrje ndaj personave që ai i konsideronte si uzurpues të pronës. Madje, sipas hetuesve, edhe vetë familjarë të tij kanë paraqitur kallëzime në polici për kanosjet e vazhdueshme.
Ndërkohë, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, akuzohet për shpërdorim detyre. Sipas prokurorisë, ai nuk ka reaguar edhe pse detektorët sinjalizuan praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës. Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as nuk ka bërë regjistrimin në librin e protokollit, ashtu siç është detyrim për çdo qytetar që hyn dhe del në institucion.
Fraksion.com

