SHBA miraton shitjen e armëve për Ukrainën me vlerë 825 milionë dollarë
Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka miratuar shitjen e armëve me vlerë rreth 825 milionë dollarë për Ukrainën, tha Agjencia e Bashkëpunimit të Sigurisë dhe Mbrojtjes e SHBA-së (DSCA).
Paketa përfshin raketa me rreze të zgjatur veprimi dhe pajisje përkatëse të kërkuara nga Kievi.
Siç është zakon me shitjet e armëve të huaja, agjencia tha se Kongresi është informuar.
“Kjo shitje e propozuar do të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një vendi partner që është një forcë për stabilitet politik dhe përparim ekonomik në Evropë”, tha DSCA në një deklaratë.
”Blerja do të mbështetet me ndihmë financiare nga Shtetet e Bashkuara, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia”, sipas agjencisë.
Njoftimi vjen pasi Rusia nisi mbi 600 sulme me raketa dhe dronë të mërkurën në mbrëmje, bombardimet e saj më të rënda që nga fundi i korrikut, pavarësisht javëve të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
Fraksion.com

