AktualitetTë fundit

Beteja me zjarret, në operim edhe dy helikopterë nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) i vijnë në ndihmë Shqipërisë për situatën e paprecedentë të zjarreve këtë vit, me dy helikopterë ‘Black Hawk’ të Forcës Ajrore, që janë dislokuar në bazën ajrore të Kuçovës.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri të ditur sot se helikopterët po operojnë efektivisht në zjarret në të gjithë territorin e vendit, duke qenë një ndihmë shumë e madhe në mbështetje të strukturës nga toka për fikjen e zjarreve.

Gjeneral brigade, Mudhafar Al Amri, drejtor në Detyrë i Shpëtimit dhe Zjarrfikjes, Autoriteti i Mbrojtjes Civile në Abu-Dabi, ishte sot në terren për të ndjekur nga afër operacionet për fikjen e zjarreve në zonën e Gramshit.

Ai theksoi edhe një herë gatishmërinë e vendit të tij për të ofruar ndihmë për Shqipërinë në këtë situatë të rënduar me zjarret.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Haki Ҫako e falënderoi për ndihmën konkrete, që po jep rezultat në terren.

Gjatë orëve të fundit në gjithë territorin e vendit janë evidentuar 37 vatra zjarri aktive, ndërkohë që vijojnë operacionet nga toka dhe nga ajri për neutralizimin e zjarreve.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com