Thirrje antishqiptare në Kumanovë, ambasadori shqiptar në Shkup: Pres që autoritetet më të larta të flasin me përgjegjësi
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani ka reaguar pas thirrjeve raciste ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes së basketbollit mbajtur të shtunën mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë.
Ambasadori shqiptar thekson në një postim në rrjetet sociale se “gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport, as në shoqëri”.
“Thirrjet fyese në Kumanovë janë alarm për të gjithë ne. Bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm, respekt për rregullat e lojës dhe për njëri-tjetrin — jo vetëm në tribuna, por kudo”, deklaron Meidani.
Ambasadori i Shqipërisë në Shkup nënvizon se “po ndjek me vëmendje reagimet institucionale dhe pres që autoritetet më të larta të Maqedonisë së Veriut të flasin qartë, fort dhe me përgjegjësi”.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka dënuar gjuhën e përdorur në Kumanovë duke theksuar se ajo që po u bëhet shqiptarëve është përbuzja, përndjekja, deri te rrezikimi i Marrëveshjes së Ohrit, gjuhës shqipe dhe përfaqësimit të drejtë.
Fraksion.com

