Uncategorized

Turqia lëshon fletarrestime për dhjetëra zyrtarë të Stambollit

Autoritetet turke kanë lëshuar 47 fletarrestime për zyrtarët e komunës dhe stafit të Stambollit, kryetari i të cilit – rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan – është në burg që nga marsi, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu më 31 maj.

Fletarrestimet bazohen “në katër hetime të ndara për korrupsion në Stamboll”, raportoi Anadolu, pa dhënë informacione se sa njerëz janë paraburgosur.

Arrestimi më 19 mars i kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, nxiti protestat më të mëdha në Turqi në dekadat e fundit.

Policia turke veçse ka arrestuar pothuajse 70 persona në bastisjet që ndodhën lidhur me dyshimet për korrupsion në Komunën e Stambollit. Në mesin e të arrestuarve janë edhe sekretari privat i Imamoglut dhe roja e tij private.

Sipas Anadolu, fletarrestimet e fundit shënjestrojnë një ish-ligjvënës opozitarë dhe pesë kryetarë të qarqeve të Stambollit.

Televizioni privat, Halk, që shihet si e afërt me Partinë Popullore Republikane (CHP) të Imamoglut, tha se kryetarët e nëntë qarqeve – nga 39 qarqe gjithsej – janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim.

CHP, që e ka nominuar Imamoglun si kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, nuk ka komentuar ende për fletarrestimet e fundit./REL

 

Fraksion.com