Berisha: Kërkesat e kandidatëve do paraqiten pasi të shqyrtohet paligjshmëria e zgjedhjeve
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rrëzoi të premten kërkesat për rinumërim të votave për katër kandidatë të Partisë Demokratike.
Kryetari i selisë blu, Sali Berisha, duke iu përgjigjur interesit të mediave për këtë çështje, tha se vendimi ka qenë i drejtë, pasi ligji elektoral ia ka hequr të drejtën kandidatëve të paraqesin ankesa të kësaj natyre.
“Nuk ekziston ajo e drejtë nga 2019-a e këtej për kandidatin”, tha Berisha.
Ai sqaroi se Komisioni i Venecias, ODIHR dhe kodi ynë zgjedhor këtë të drejtë ua njeh vetëm subjekteve politike.
“Subjektet politike investohen edhe për kandidatin”, tha Berisha.
Ai paralajmëroi se në këtë rast fillimisht do të kërkohet nga partia shpallja e pavlefshme e zgjedhjeve dhe më pas do të vijohet me kërkesat e kandidatëve.
“Disa kandidatë, se nuk janë vetëm këta, që kanë kërkuar ankesën e tyre rinumërim, i kanë depozituar pranë përfaqësuesve të partisë në KQZ dhe presin momentin e vlerësimit që partia ka për x qark, pastaj do paraqiten ankesat e tyre. Edhe kandidatët e Tiranës u informuan dje përsëri që rruga që kanë ndjekur nuk ka mbështetje ligjore. Përfaqësuesit tanë në KAS kanë zbatuar ligjin. Nuk mund të votonin për një akt që është hequr me ligj”, tha Berisha.
Ai theksoi se nga ana e kandidatëve që paraqitën ankesë në SPAK ka pasur një keqkuptim. Berisha sqaroi se ka deklaruar më parë që partia do i mbështesë dhe kjo do të bëhet duke respektuar platformën që ka përcaktuar Partia Demokratike në përputhje me ligjin elektoral.
“Deklaratat e mia publike kanë qenë dhe janë, partia do mbështesë. Në qoftë se partia tjetër nuk i lejoi, siç e dini, e kundërta është qëndrimi ynë. Ne i mbështesim cilindo që kërkon transparencë, që gjen argumente. Ka patur një keqkuptim nga ana e tyre. Ata nuk duhet të humbasin kohën, t’i paraqesin pranë përfaqësuesve tanë në KQZ, që përfaqësuesit tanë për qarqet që janë marrë vendimet për vlefshmëri ose pavlefshmëri të procedojnë”, tha Berisha.
Kujtojmë se kërkesë për rinumërim bënë Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Aulon Kalaja, katër kandidatëve demokratë të listës së hapur në Tiranë e Durrës.
Anëtarët e KAS, me shumicë votash, ndërprenë mundësinë e shqyrtimit të ankimit në seancë publike, pasi sipas tyre, kërkesa duhej paraqitur jo në mënyrë individuale, por në emër të subjektit politik që ata përfaqësojnë.
Berisha në konferencën me gazetarët u pyet edhe për aleatin e tij në këto zgjedhje, Ilir Metën, i cili është shprehur se në ato vendore të 2027-ës do të garojë vetëm me siglën e Partisë së Lirisë.
“Ilir Meta është një i burgosur politik. Për PD-në dhe Aleancën Shqipëria Madhështore është i burgosur politik. Për zgjedhjet e tjera çdo forcë politike bën zgjedhjen e vet. Kjo aleancë vetëkuptohet që ishte për këto zgjedhje”, tha Berisha.
Fraksion.com