Berisha: Zgjedhjet e 11 majit ishin farsë elektorale
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në një intervistë televizive se zgjedhjet e 11 majit ishin farsë elektorale.
I pyetur nëse do të zbatonte statusin e PD sipas të cilit “kryetari që humb zgjedhjet, dorëhiqet”, Berisha tha se zgjedhjet ishin farsë elektorale.
“Jemi para faktit të pamohueshëm për një numër të dokumenteve themelorë se Shqipëria zhvilloi një farsë elektorale. Nuk pati zgjedhje, pati farsë elektorale, e paralajmëruar. Në 4 rezoluta ndërkombëtare thuhej se Shqipëria ka farsë elektorale. Komisioni i Jashtëm Europian në mes të fushatës elektorale tha se në Shqipëri nuk ka një proces të drejtë elektoral. Ka pasur dhunime serioze, përfshi mjetet shtetërore, blerje të votës, pa harruar mediet pranë qeverisë. Një terror ndaj liderëve opozitarë, kapja e drejtësisë e të tjera”, u shpreh Berisha.
Berisha, u shpreh se “rrëzimi i Edi Ramës nuk bëhet përmes ndihmës së ndërkombëtarëve, por me lëvizje popullore nga brenda”.
Berisha tha se në 32 vjet fushatë, kjo fushatë për zgjedhjet e 11 majit ishte më e mira ku ai u përkushtua për t’i paraqitur shqiptarëve një program të konsultuar me dy fondacione të huaja të specializuara.
“Kam marrë në këtë fushatë kryestrategun e botës, Chris LaCivita, kam bërë gjithçka për të qenë totalisht i përkushtuar për të mos thënë që nuk ka zgjedhje me Edi Ramën. Unë kam thënë se do të mbroj votën, por kurrë me kallashnikov. Por Edi Rama nuk ikën nga ndërkombëtarët, pasi diktatorët rrëzohen vetëm me lëvizje popullore”, tha Berisha.
Sipas tij, denoncimet dhe faktet e mbledhura nga PD që do t’u dërgohen partnerëve ndërkombëtarë, do të vërtetojnë se më 11 maj nuk pati zgjedhje, por votime.
Nga ana tjetër, ai u shpreh se pret nga ndërkombëtarët që të mundësojnë zgjedhje të parakohshme në Shqipëri.
“Zgjedhjet elektorale nuk fitohen kurrë në farsë. Në farsë nuk ka vlerë diferenca e votave mes partive politike. Nga denoncimet, faktet që kemi mbledhur presim mbështetje nga ndërkombëtarët që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të parakohshme. Forumet do ta përcaktojnë çfarë do bëjmë ne. Këto ishin farsë zgjedhore, votime”, tha Berisha.
Fraksion.com