Dritë jeshile për gjykatën për agresionin rus
Të premten, 30 ministra të Jashtëm shkuan në Ukrainë për këtë qëllim, përfshirë ministrin e ri të Jashtëm gjerman, Johann Wadephul. Ky vendim mund të interpretohet si një sinjal për presidentin rus Vladimir Putin, i cili në të njëjtën kohë në Moskë festonte 80-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore me një paradë ushtarake, dhe me atë rast e justifikoi përsëri sulmin ndaj Ukrainës.
Tribunali duhet të gjykojë “krimin e agresionit”
Tribunali do të “sigurojë që autorët kryesorë të agresionit kundër Ukrainës të mbahen përgjegjës”, tha shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. Ajo shtoi se lufta e Rusisë në epokën e informacionit është e dokumentuar mirë dhe “nuk ka vend për pandëshkueshmëri”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bashkua nëpërmjet videos dhe tha se është detyrë morale e Evropës ta mbajë Rusinë përgjegjëse për luftën.
Gjykata duhet të punojë nën Këshillin e Evropës, i cili u krijua pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Selia e Gjykatës duhet të jetë në Hagë, Holandë, ku ndodhen tashmë disa organizata ligjore ndërkombëtare dhe ku janë gjykuar ish-presidentë e kryeministra dhe ushtarakë nga lufta në ish-Jugosllavi.
Vendimet do të shpalleshin edhe në mungesë. Është planifikuar të punësohen 15 gjyqtare femra dhe meshkuj, të cilët do të kenë një mandat prej nëntë vitesh secili. Bashkimi Evropian i ka vlerësuar kostot në afërsisht një miliard euro.
Gjykata Ndërkombëtare Penale është në fakt përgjegjëse për krimet e luftës në të gjithë botën. Në rastin e Ukrainës, nuk mund të aktivizohet, pasi parakushti është që të dyja palët në konflikt të jenë nënshkruese të Statutit të Romës dhe Protokollit Shtesë.
SHBA-të u tërhoqën nga rrethi i vendeve që mbështesnin establishmentin.
Vendet që mbështesin krijimin e gjykatës përfshijnë Australinë, Norvegjinë, Lihtenshtajnin, Mbretërinë e Bashkuar, Kosta Rikën dhe Guatemalën. Pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara tërhoqën mbështetjen e tyre.
Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, i tha DW se tërheqja e mbështetjes së SHBA-së për krijimin e gjykatës është “një nga një sërë lëshimesh që administrata e re amerikane po i bën Vladimir Putinit”. Sikorski shpreson që Trump tani do të “nxjerë përfundimet e duhura” nga kjo.
Ministri i Jashtëm gjerman, Wadephul, tha në bisedën e tij të parë me homologun e tij amerikan, Marco Rubio, se do të ishte mirë që Uashingtoni të kthehej në rrethin e mbështetësve të themelimit të gjykatës. Ai theksoi se “është një shenjë e mirë që një pjesë e madhe e botës së lirë dhe ato vende që mbështesin një rend të bazuar në rregulla tani kanë filluar procesin e krijimit të atij institucioni”.
Çfarë thonë ekspertët?
Edhe para këtij vendimi politik, ekspertët po diskutonin fushëveprimin dhe kufizimet e mundshme të një gjykate të tillë. “Tribunali i posaçëm nuk do ta gjykojë Vladimir Putinin në mungesë për sa kohë që ai është president i Rusisë”, konfirmoi përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në një konferencë shtypi në Bruksel më 10 prill. E njëjta gjë vlen edhe për kryeministrin Mikhail Mishustin dhe ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov.
Gleb Bogush nga Instituti për të Drejtën Penale Gjermane dhe Ndërkombëtare të Universitetit të Këlnit kritikon pikërisht këtë qëndrim, i cili në fakt konfirmon imunitetin e elitës shtetërore ruse – për sa kohë që ata janë në detyrë.
Vendimi për t’i dhënë imunitet Putinit, pohon Bogush, dërgon një mesazh të rrezikshëm që mund të interpretohet si një thirrje për të injoruar urdhrin për arrestimin e Putinit të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJPN).
Sipas planit për tribunalin, bazuar në hetimet kundër Putinit, Lavrovit dhe Mishustinit, mund të përgatitet një aktakuzë. Megjithatë, derisa të hiqet imuniteti, nuk mund të ngrihen akuza dhe as nuk mund të lëshohet një urdhër arresti.
Korniza institucionale e përgatitur
Megjithatë, Këshilli i Evropës beson se “formula e gjetur për një zyrë të prokurorit të posaçëm do të jetë e mjaftueshme për të siguruar llogaridhënien dhe për të luftuar pandëshkueshmërinë”. Përfaqësuesit e saj theksojnë se e drejta ndërkombëtare po zhvillohet pavarësisht pengesave dhe se “imuniteti personal nuk është një licencë bosh për pandëshkueshmëri”.
Plani për formimin e një gjykate të posaçme u hartua nga një grup ekspertësh kryesorë ligjorë që nga viti 2023 dhe u prezantua në mars të vitit 2025. Ai përfshin marrëveshjen midis Ukrainës dhe Këshillit të Evropës, statutin, si dhe marrëveshjen për menaxhimin e gjykatës.
Kievi do t’ia paraqesë gjykatës rezultatet e hetimeve të tij, dhe do të merren në konsideratë edhe provat e mbledhura nga Qendra Ndërkombëtare për Hetimin e Pushtimit Rus të Ukrainës (ICPA) në Hagë. ICPA u krijua me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe përbëhet nga prokurorë kombëtarë të përzgjedhur.
Këshilli i Evropës është zgjedhur si institucioni nën kujdesin e të cilit do të veprojë gjykata. Kombet e Bashkuara ishin jashtë diskutimit, sepse Rusia, e cila ka të drejtën e vetos në atë organ, do ta bllokonte një projekt të tillë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Nëse arrihet një shumicë prej dy të tretash në Këshillin e Evropës në favor të fillimit të punës së gjykatës, do të pasojë ratifikimi në shumë parlamente të shteteve anëtare, gjë që mund të zgjasë me muaj./DW
Fraksion.com