AktualitetPolitikëTë fundit

Kontrata e lobimit të PD në SHBA, Rama: Janë paguar 6 mln euro për të hequr damkën e një personi nongrata

Kryeministri  Edi Rama zhvilloi sot një takim me gra dhe vajza të qarkut të Vlorës.

Në fjalën e tij, Rama shprehu kënaqësi për pjesëmarrjen në këtë takim.

“Ky pallat sporti këtë herë është i jashtëzakonshëm sepse është i mbushur plot e përplot me gratë dhe vajzat që janë pararoja e rrugës sonë drejt 11 majit dhe që janë garancia se në 11 maj ne do të marrim rezultatin e duhur për Shqipërinë me BE-në, në Evropë dhe larg Shqipërisë përsëri mbrapsh në gropë”, tha Rama.

“Kur flasim për gropën këtu në Vlorë, ju dhe sidomos ata që e kanë jetuar si prindër katastrofën e vitit ’97, e dinë shumë mirë se për ҫfarë flasim. Dhe nuk është aspak e ekzagjeruar të flasësh sot përsëri fatkeqësisht për katastrofën e atij viti që e përvëloi Vlorën dhe që këtu në Vlorë hapi dhe plagën më të madhe, sepse është i njëti personazh, i njëjti shkaktar, i njëjti fajtor që përsëri vjen vërdallë edhe pse tanimë herë me mendje në vend, e herë me mendje diku tjetër për të kërkuar nga shqiptarët votën thjesht dhe vetëm për hallin e tij krejt personal”, tha Rama.

Rama foli edhe për kontratën e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA.

“Unë besoj se të gjitha ju që jeni këtu sot, ashtu si të gjithë të tjerët që e ndjekin në të përditshmen e vet këtë përballje, këtë ballafaqim, jeni sot të habitura nga fakti që janë paguar 6 milionë euro. Është bërë një kontratë 6 milionë euro, thuhet nga patriotë. Ju kujtohet që edhe herën e kaluar Luli i shkretë për 500 mijë u bë leckë? Edhe ai kështu tha, u mblodhën ca patriotë. Por 6 milionë euro për të hequr damkën e një personi nongrata, janë vërtetë shumë për të mos bërë pyetjen: ku u gjetën gjithë ato pará? Dhe si mundet që thjesht dhe vetëm për hallin e një njeriu të paguhen më shumë pará sesa ҫfarë shteti shqiptar jep për të gjitha partitë politike të marra së bashku?”, tha Rama.

“Pastaj është dhe pak e ҫuditshme kur e mendon se ne na u tha se sa të vinte Trumpi do ikte “non grata”. Tani u dashkan edhe 6 milionë euro me shpresën që do iki “non grata””, u shpreh Rama.

“Por edhe sikur të rrijë edhe sikur të iki, kjo nuk është ҫështja më e shumicës dërrmuese e shqiptarëve dhe shqiptareve që janë sot në një moment historik dhe që duhet të marrin një vendim historik. Sepse në 11 maj nuk është një zgjedhje mes dy kampeve politike. Absolutisht jo! Është një zgjedhje mes Shqipërisë me BE-në, në Evropë dhe interesit kombëtar të një populli të tërë dhe hallit privat të një 80 e kusur vjeҫari që vazhdon të provojë të bëjë ҫorap Shqipërinë”, tha Rama.

“Është një zgjedhje mes të mirës së përbashkët të të gjithëve pa dallim. Pa dallim bindjesh politike, pa dallim përkatësisht partiake, sepse bëhet fjalë për mundësinë e madhe që na është dhënë ne. Fati na e ka sjellë që me një votë, të bëjëm jo vetëm një zgjedhje, por edhe një investim historik dhe interesit të një grushti shumë të vogël njerëzish. Të vogël sa një familje e vetme. Një familje që nuk mban dot lidhur një 80 e kusur vjeҫar që vjen vërdallë dhe flet përҫart dhe kërkon të marrë zvarrë Shqipërinë”, tha Rama.

Në fund fare, shtoi Rama, “kjo është një zgjedhje shumë e qartë mes të qenit tifoz me një palë apo tifoz me një palë tjetër, apo të qenit një qytetar apo qytetare e një vendi që sot ka mundësinë të të japë ty personalisht statusin e qytetarit apo qytetares evropiane”.


Fraksuon.con