GJKKO urdhëron SPAK: Hetoni Olta Xhaçkën dhe Artan Gaçin për shpërdorim detyre, falsifikim dhe pastrim parash
GJKKO ka pranuar ankesën e eurodeputetit Fredi Beleri për shfuqizimin e vendimit të datës 27.12 .2024 të SPAK dhe urdhrimin e regjistrimit të procedimit penal dhe kryerjen e veprimeve hetimore ndaj ish-ministres së jashtme Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj Artan Gaçe
Hetimet ndaj Xhaçkës dhe Gaçit do të zhvillohen për tokën e përfituar në Dhërmi, Bashkia Himarë. Beleri kishte ankimuar vendimin e SPAK që nuk kishte nisur procedim për Xhaçkën dhe Gaçin për akuzat lidhur me tjetërsimin e pronës në bregdetin e Dhërmiut. Ish-deputeti i PS, biznesmen, Artan Gaçi mori statusin e investitorit strategjik nga qeveria shqiptare.

Gazetarja e News24, Klodiana Lala thotë se GJKKO përmes një shkrese duke pranuar ankesën e Belerit, i kërkon SPAK të regjistrojë procedimin penal për vazhdimin e hetimeve për veprën penale “shpërdorim detyre”, falsifikim dokumentash dhe pastrim i produkteve të veprës penale kryer në bashkëpunim për Xhaçkën e Gaçen.

“Gjykata çmon se kallëzimi i shtetasit Alfred Beleri për shtetasit Artan Gaçi, për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ kryer në bashkëpunim të parashikuar nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal dhe Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, deputete, për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, nuk ka një vendimmarrje, dhe se ankimi i paraqitur nga shtetasi Dhionisis Alfred Beleri, për këtë pjesë të kallëzimit, është i bazuar në ligj.
Shtetasja Olta Xhaçka, me mosveprimet e saj, duke mos deklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor, të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit, nuk i takojnë. Kjo shtetase, nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj”, thuhet në vendimin e GJKKO.
Më tej në shkresë thuhet se kundër këtij vendimi mund të apelohet në Apelin e GJKKO brenda 10 ditëve duke filluar nga e nesërmja e këtij njoftimi.