AktualitetBota+Të fundit

Trump: SHBA dhe Ukraina do të nënshkruajnë marrëveshjen për mineralet e rralla

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se ai dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të nënshkruajnë një marrëveshje përmes së cilës u jepet Shteteve të Bashkuara qasje e konsiderueshme tek mineralet e rralla fitimprurëse të Ukrainës dhe kompensim Uashingtonit për armët e dërguara në Ukrainë për luftën ndaj agresionit të Rusisë.

Zoti Zelenskyy do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë të premten për të nënshkruar paktin dhe për të diskutuar lidhur me luftën, tha zoti Trump në mbledhjen e parë të kabinetit që kur mori mandatin.

Marrëveshja “është shumë e favorshme për ne “, tha zoti Trump, por objektivi kryesor është që t’i jepet fund luftës, që ka shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e disa qindra mijëra ushtarëve rusë dhe ukrainas, si edhe civilëve ukrainas.

“Objektivi nr. 2 është të rimarrim shpenzimet”, tha zoti Trump duke iu referuar më shumë se 100 miliardë dollarëve municione që Uashingtoni i ka dërguar Kievit. “Pa pajisjet tona, ajo [luftë] do të kishte përfunduar shumë shpejt”, me një kontroll të Rusisë mbi Ukrainën.

Rusia tani kontrollon rreth një të pestën e territorit të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës dhe është zotuar se nuk do të kthejë asnjë pjesë të saj.

Presidenti Trump tha se pret që të arrijë një marrëveshje me presidentin Zelenskyy dhe atë rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës. Zoti Trump filloi bisedimet me zotin Putin për përfundimin e konfliktit, por diskutimet e para javën e kaluar midis diplomatëve të lartë amerikanë dhe rusë, Sekretarit të Shtetit të SHBA Marco Rubio dhe Ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov, nuk përfshinë zyrtarët ukrainas dhe evropianë.

Zoti Trump tha se lufta do të marrë fund falë zgjedhjes së tij si president. Ai tha gjithashtu të mërkurën se Ukraina nuk duhet të presë të anëtarësohet në NATO, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

Në Kiev, zoti Zelenskyy tha në një konferencë shtypi se korniza për marrëveshjen për mineralet e rralla ishte e plotë, por se garancitë e sigurisë së SHBA-së për Ukrainën, që qeveria e Kievit e konsideron si jetike, nuk është zgjidhur ende.

Presidenti Trump e ka quajtur Presidentin Zelenskyy një diktator dhe ka akuzuar në mënyrë të rreme Ukrainën se ka nisur luftën me Rusinë.

Udhëheqësi i SHBA-së ka thënë se është veçanërisht i indinjuar që ish-presidenti Joe Biden ra dakord për ndihmën ushtarake për Ukrainën, pa përfshirë ndonjë dispozitë që Ukraina të paguajë koston.

Zoti Zelenskyy ka thënë se bdihma ushtarake e SHBA-së ishte një grant dhe jo hua që duhej të shlyhej, por tani ai ka rënë dakord për marrëveshjen për mineralet e rralla.

Presidenti ukrainas tha se priste të kishte diskutime të gjera dhe thelbësore me Trump, përfshirë nëse SHBA planifikonte të ndalonte ndihmën ushtarake dhe nëse po, nëse Ukraina do të ishte në gjendje të blinte armë direkt nga SHBA.

Ai tha se donte gjithashtu të dinte nëse Ukraina mund të përdorte asetet e ngrira ruse për investime në armë dhe nëse Uashingtoni planifikon të heqë sanksionet ekonomike ndaj subjekteve ruse dhe bashkëpunëtorëve të nivelit të lartë dhe miqve të Putinit.

Kryeministri britanik Keir Starmer do të takohet me zotin Trump të enjten në Uashington për të diskutuar mbi një iniciativë evropiane për një forcë paqeruajtëse prej 30,000 trupash për të garantuar një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës, nëse ai mund të arrihet, megjithëse nuk ka ndonjë plan për bisedime paqeje.

Udhëheqësit evropianë kanë thënë se një forcë paqeruajtëse do të kërkonte një mbështetje amerikane, si për shembull një mbikëqyrje satelitore ose mbështetje ajrore. Zoti Trump nuk është angazhuar për një plan të tillë, por të mërkurën e quajti forcën paqeruajtëse “një ide pozitive”.

Disa informacione për këtë artikull janë nga Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.

 

Fraksion.com