AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Në qershor mbahet edicioni i parë i festivalit të arkitekturës “Bukë dhe Zemër”

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin e prezantimit të projektit për rijetëzimin e “Sheshit Nënë Tereza” me një oaz të gjelbër kushtuar librit dhe një hapësirë dedikuar publikut.

Në fjalën e tij Rama u shpreh se, “Tirana tanimë është bërë vendi ku po ndodh diçka, në qetësi, pa bujë, pa reklamë që shumëkush në botën e vogël, por me impakt të madh të arkitekturës bashkëkohore e konsideron të ngjashme me eksperiencën unikale të Nju Jorkut të viteve ’30, sepse një rrjet i gjerë arkitektësh me famë botërore, ndër të cilët 7 apo 8, në mos 9 tani me një të fundit që erdhi nga Japonia janë laureatë të çmimit “Pritzker” që është Nobeli i arkitekturës. Dhe pastaj plot të tjerë, mes të cilëve dhe Kristi, janë të angazhuar me projekte në të gjithë Shqipërinë, po kryesisht në Tiranë”.

Rama u shpreh se, në qershor do të mbahet edicioni i parë i festivalit të arkitekturës “Bukë dhe Zemër”.

“Në qershor kemi planifikuar të bëjmë edicionin e parë të festivalit që e kemi quajtur “Bukë dhe Zemër” dhe ka moton “Më sill pak kripë të lutem”, me pikërisht të gjithë këta protagonistë të këtij transformimi që janë arkitektë dhe besoj që ai festival do të jetë një aktivitet që qëllimi është ta bëjmë të përvitshëm, por që do të sjellë pastaj këtu në Tiranë dhe gjithmonë do të ketë dhe një pjesë të dytë, diku tjetër në Shqipëri, këtë vit mbase në Elbasan, studentë, arkitektë, pedagogë, kritikë, dashamirës të arkitekturës nga e gjithë bota”, tha Rama.

“E them këtë sepse, faktikisht, jo shumë larg nga këtu janë disa projekte tanimë të aprovuara që janë në rrugën e përfundimit të projekteve ekzekutive, ndër të cilat është projekti i njërit prej arkitektëve më të veçantë sot të gjallë, Valerio Olgiati-t. Por po ashtu në anën tjetër janë në zhvillim e sipër të tjera projekte të arkitektëve shumë të njohur”, tha Rama.

 

Fraksion.com