AktualitetBota+Të fundit

SHBA, tarifa më të larta për importet nga Kanadaja, Meksika dhe Kina

Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se do të vendosë tarifa të reja prej 25 për qind për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja dhe 10 për qind për importet nga Kina. Ai tha se asgjë nuk mund të bëhet nga këto tre vendet për t’i parandaluar tarifat.

Megjithatë, Presidenti Trump përmendi mundësinë e vendosjes së një tarife më të ulët për naftën e importiar nga Kanadaja, duke thënë se kjo normë do të jetë 10 për qind në vend të normës 25 për qind të planifikuar për mallrat e tjera nga fqinji verior i Shteteve të Bashkuara. Por ai bëri të ditur se tarifat më të gjera për naftën dhe gazin natyror do të shpallen në mes të shkurtit. Komentet e tij shkaktuan rritjen e çmimit të naftës dhe rënien e aksioneve.

I pyetur nëse kishte ndonjë mundësi në këtë fazë që tre partnerët kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara të siguronin një shtyerje të zbatimit të vendimit të tij për tarifat, zoti Trump tha: “Jo, jo. Jo tani, jo”.

Ai hodhi poshtë idenë se kërcënimet e tij për tarifa të reja kanë qenë një mjet pazaresh. “Jo, nuk është … ne kemi deficite të mëdha këto tre vende.”

Presidenti republikan tha se do të ketë më shumë tarifa ndaj vendeve të tjera, duke përfshirë mallrat evropiane, si çeliku, alumini dhe bakri, ilaçet dhe mikroprocesorët.

“Ne do të vendosim tarifa për çelikun dhe aluminin, dhe përfundimisht bakrin. Vendosja e tarifave ndaj importeve të bakrit do të marrë pak më shumë kohë”, tha ai.

Vendimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump për të vendosur tarifa në nivel 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika dhe 10% për mallrat nga Kina hyn në fuqi të shtunën, tha Shtëpia e Bardhë të premten.

Presidenti republikan ka bërë kërcënime për vendosje të tarifave në përpjekej për të siguruar një bashkëpunim më të madh nga vendet e tjera për të ndalur emigracionin e paligjshëm dhe trafikimin e drogës, por ai gjithashtu është zotuar të përdorë tarifat për të nxitur prodhimin vendas.

“Duke filluar nga nesër, ato tarifa do të jenë në fuqi”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt. “Këto janë premtime të bëra dhe premtime të mbajtura nga presidenti”.

 

Karoline Leavitt
Karoline Leavitt

Shtetet e Bashkuara importuan pothuajse 4.6 milionë fuçi naftë në ditë nga Kanadaja në tetor dhe 563,000 fuçi nga Meksika, sipas të dhënave të Departamentit të Energjisë. Prodhimi ditor i Shteteve të Bashkuara gjatë atij muaji ishte mesatarisht rreth 13.5 milionë fuçi në ditë.

Presidenti ka deklaruar më parë se një tarifë prej 10% për importet kineze do të shtohej mbi tarifën ekzistuese ndaj importeve nga Kina.

“Ne mund të presim veprime hakmarrëse nga tre vendet”, tha Wendy Cutler, ish-negociatore e Shteteve të Bashkuara për çështjet tregtare. Kina iu përgjigj në mënyrë agresive tarifave të vendosura nga Presidenti Trump mbi mallrat kineze gjatë mandatit të tij të parë, duke vënë në shënjestër mbështetësit e presidentit në zonat rurale të Amerikës me tarifa hakmarrëse mbi eksportet e fermave amerikane.

Kanadaja dhe Meksika kanë thënë se kanë përgatitur plane për tarifa hakmarrëse, që do të përdoren nëse është e nevojshme. Këto veprime mund të shkaktojnë një konflikt më të gjerë tregtar, që sipas ekonomistëve mund të dëmtojë rritjen ekonomike dhe mund të shkaktojë rritje të mëtejshme të inflacionit./VOA

 

Fraksion.com