Akuzat e Ahmetajt, Rama: Ata që dje ishin një karrige më tutje nga unë, janë në duart e drejtësisë ose në kërkim
Kryeministri Edi Rama iu përgjigji sot indirekt akuzave të Arben Ahmetajt, ish-numri 2 i qeverisë aktualisht në kërkim nga SPAK. Gjatë fjalës së tij në punimet e Kuvendit Rinor socialist, Rama tha se sot janë në duart e drejtësisë ose në kërkim prej saj, ata që deri dje ishin në radhët e PS dhe të qeverisë, madje edhe një karrige larg tij.
“Problemi ynë as këtë herë nuk do të jenë kundërshtarët, por do jetë llumi i kënetës së tyre që këtë herë do të vërshojë edhe më shumë tërbim për të errësuar sa më shumë sy, për të mërzitur sa më shumë zemra dhe për të ftohur ndaj nesh sa më shumë njerëz. Nuk do t’ia dalin, përkundrazi kanë për ta marrë mbrapsht syve siç e meritojnë, por na duhet shumë durim dhe vendosmëri e këmbëngulje deri në fund të këtyre 100 ditëve.
Duke sharë, shpifur, abuzuar, sajuar, fabrikuar, pështyrë, bërtitur, uluritur, ata do t’ju thonë se unë dhe ne, jemi çdo gjë, që në fakt janë ata vetë. Por ju do t’i thoni vetes dhe të tjerëve, kush e bëri më të mirë mund ta bëjë edhe më të mirë akoma, ndërsa kush e la keq, mund ta bëjë simos më keq.
Ata mund t’ju thonë se jemi një çetë hajdutësh, sepse ky dhe ai që deri dje ishin me ne, madje edhe një karrige më tutje nga unë, janë sot në duart e drejtësisë apo janë në kërkim nga drejtësia, por ju do t’i thoni vetes dhe të tjerëve se po të mos ishim ne socialistët që përdorëm pushtetin tonë për t’i dhënë pavarësinë drejtësisë, sot nuk do të kishte asnjë njeri të pushtetit të sotëm dhe të djeshëm para drejtësisë siç nuk pati që prej vitit 1912, kur ne bëmë Reformën në Drejtësi. Reformën në Drejtësi ne e bëmë siç e thamë jo për të luftuar kundërshtarët, por për t’u dhënë për herë të parë në histori shqiptarëve shansin real të ndërtimit të një shteti”, u shpreh Rama.
Fraksion.com