PD: Euro ‘prek’ fundin, të merren masa për lehtësira fiskale
Zëvendësdrejtuesja e departamentit të sipërmarrjes në Partinë Demokratike Blerina Gjyriqi nëpërmjet një deklarate nga selia blu tha se monedha e përbashkët evropiane gjatë vitit 2024 euro ka arritur minimumin.
Sipas Gjyriqit, aktualisht euro këmbehet në tregun tonë valutor me 98.3 ALL, një rënie drastike krahasuar me jo shumë kohë më parë.
Gjyriqi theksoi më tej se bizneset që kanë kontrata në euro raportojnë kosto të rritura dhe më pak të ardhura, diçka që ka rritur presionin e mbijetesës në treg.
“Shumica kanë zgjedhur të sakrifikojnë nga marzhi i fitimit për të mbetur konkurrues. Gjithashtu edhe individët janë prekur nga kjo rënie: rreth 51% e atyre që marrin pagat në euro konfirmojnë se janë ndikuar negativisht pasi shpenzimet e tyre janë në lekë.
Edhe bizneset, të cilat eksportojnë mallra kanë pësuar rënie, me mbi 14.3% krahasuar me një vit më parë. Rënien më të fortë e kanë pësuar industritë e minerareve, të energjetikës dhe sidomos industria e veshjeve dhe këpucëve, e njohur si fasoneria”, tha Gjyriqi.
Sipas Gjyriqit shumica e bizneseve, prodhuese dhe eksportuese, kanë falimentuar dhe të tjerat janë drejt falimentimit.
“E gjithë kjo ka çuar në rritje të papunësisë: sipas INSTAT kemi 5 % humbje të vendeve të punës, por nga të dhënat tona ky numër është më i lartë se 10 mijë punonjës, referuar vetëm industrive fasoneri.
Fashoja më e prekur janë bizneset që kanë pasur më pak se 100 të punësuar. Efekti është i njëjtë dhe për sektorin e turizmit që kontratat i ka në euro. Kjo situatë e rënduar mbi këto industri e fut ekonominë shqiptare në një ngërç të madh pasi ka një impakt negativ ekonomik dhe social”, tha Gjyriqi.
Gjyriqi nënvizoi më tej se rënia e euros dhe mosreagimi lidhen me faktin se qeveria po shlyen një borxh publik më të lirë.
Partia Demokratike, nënvizoi Gjyriqi “kërkon që të merren masa të menjëhershme nga lehtësirat fiskale dhe deri te ndërhyrjet që ndalojnë rënien artificiale të euros”.
Fraksion.com