Life StyleTë fundit

Parashqevi Simaku: Dinjiteti dhe kufijtë e harruar të njerëzores

Nga Sonila Meço

Askush, por askush, nuk mund të vendosë nëse është dashuria, mëshira, kurioziteti, keqardhja, apo kërkimi i dëshpëruar i klikimeve motivi kryesor i kujtdo që reagon publikisht mbi videon e Parashqevisë kombëtare. Motivet burojnë aq thellë sa as vetë nuk mund të jemi të ndërgjegjshëm për çfarë ngacmimesh, deri në nëndije, na prodhojnë nevojën e papërmbajtshme për të thënë tonën publikisht, medoemos.

Media shndërrohet në një mekanizëm të egër, diabolik, për shkak të llojit të njerëzve që e bëjnë, e financojnë dhe e përdorin. Kjo s’ka nevojë për debat, sepse po njerëzimi, me moral dhe etikë të pakufijshme, ka krijuar mundësi mbrojtjeje përmes konventave, kushtetutave dhe ligjeve. Lum kush i njeh e di t’i përdorë për të mos u “shqyer” nga “monstra” e dalë jashtë kontrollit.

Por, në gjithë këtë zallamahi përleshjeje mes fuqisë perverse njerëzore dhe aftësisë vetërregulluese të saj, ku individi ndihet i vogël, i pamundur dhe i papërfillshëm, mbetet ende një element jetik, thelbësor, si uji, ajri, dielli: DINJITETI. Edhe kur trupi lëngon, fiziku dështon, ai e mban shpirtin njerëzor gjallë. Edhe kur gjithçka humbet, njeriu mund të gjejë motiv për të jetuar pikërisht tek dinjiteti. Dhe nuk ka dinjitet më të fortë dhe pavarësi më të rëndësishme sesa të jetosh brenda mundësive të tua.

Ardhur deri këtu, askush nuk mund ta dijë nëse e dashura Parashqevi, yll kombëtar i skenës, është duke jetuar siç ka zgjedhur, prej dinjitetit, apo krejt e pavetëdijshme, për shumë arsye, është harruar në një situatë që jo vetëm nuk e meriton, por nuk është e aftë ta zgjidhë.

Andaj, nuk i falet askujt, që me fuqi mediatike, financiare apo intelektuale, mund ta ndihmonte në heshtje, të kalojë përtej perimetrit të vyer të dinjitetit të tjetrit, qoftë i famshëm apo jo, i vetëdijshëm apo jo, për ta bërë “ushqim” kombëtar për mendje diabolike apo jo, perverse apo jo, kurioze apo jo.

Nuk jam e sigurt për motivet e secilit që publikisht hyri në privatësinë e Parashqevisë sonë, në të drejtën e saj për të qëndruar jashtë vëmendjes publike. Sepse, ndonjëherë, mund t’i bëjmë keq tjetrit edhe me qëllimet tona më të mira, duke dashur ta ndihmojmë.

Por për një gjë jam e sigurt: dhuratë më të çmuar sesa një gur në murin mbrojtës të dinjitetit të tjetrit nuk mund të ketë për njeriun. Sepse dinjiteti mban shpirtin gjallë edhe përtej pikës ku trupi, mendja dhe fiziku të kanë braktisur.

Dhe kaq. Kushdo me mend në kokë dhe ndjeshmëri në zemër e di fare mirë këtë.

 

Fraksion.com