Çështja “Xhaçka”, Bushka: Komisioni konfirmoi se Parlamenti nuk mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar
Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka u shpreh sot se Komisioni i Venecias në opinionin e dhënë lidhur me çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, konfirmoi se Parlamenti nuk është i detyruar dhe nuk mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar.
Gjatë një konference për shtyp, Bushka e cila foli në cilësinë e kryetares së Komisionit të Ligjeve në Kuvend, shprehu fillimisht konsideratën më të lartë për ekspertët e Komisionit të Venecias, të cilët sipas saj, e trajtuan me seriozitet, profesionalizëm dhe në kohë rekord këtë çështje të rëndësishme.
Sipas saj, në këtë opinion Komisioni i Venecias shprehet qartë se Kuvendi nuk është i detyruar të votojë në mënyrë të caktuar.
“Komisioni i Venecias konstaton se për më tepër se parimi se deputetët janë të lirë të votojnë sipas bindjeve të tyre konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese, sikurse organet e Kuvendit kanë theksuar disa herë vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të diskutohen. Kuvendi e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni i Venecias shpreh mendimin se dy vendimet nuk duhej të kushtëzojnë votën”, tha ajo.
Po ashtu, Bushka theksoi se Komisioni i Venecias konfirmon qëndrimin e mazhorancës se Kuvendi dërgon për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti, vetëm kur vetë deputeti përdor pasurinë e shtetit dhe përfiton prej tyre. Rastet e tjera Kuvendi i shqyrton vetë.
“Komisioni i Venecias shprehet në këtë opinion se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, neni i ligjit të Gjykatës Kushtetuese është ndryshuar që t’i jepet e drejta 1/5 së deputetëve të paraqesin mocion. Megjithatë në vendimin e fundit Gjykata Kushtetuese duke mos e trajtuar ndryshimin e nenit 66 mban pozicionit se 1/5 e deputetëve nuk bën kërkesë në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Bushka.
Në këtë drejtim, Bushka theksoi se kompetencat e Gjykatës Kushtetuese si organ gjyqësor dhe jopolitik nuk mund të shkelin rolin e parlamentit që krijon norma.
“Në përfundim tashmë bazuar në opinionin e Komisionit të Venecias pikëpyetjet e ngritura në lidhje me votimin kanë qenë të drejta dhe të bazuar në argumenta tërësisht kushtetues dhe ligjore.
“I gjithë ky proces, përtej retorikës politike pati një karakter tërësisht teknik dhe u trajtua nga ne bazuar në qëndrime juridike. Një vendim që nuk mund të bëhet objekt i diskutimit politik. Ashtu siç edhe e nënvizon Komisioni i Venecias, edhe Kuvendi e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka patur dhe nuk ka asnjëherë qëllim mos t’i zbatojë por duhet të jenë të tilla që Kuvendi të jetë në gjendje t’i zbatojë ato”, u shpreh Bushka.
Bushka nënvizoi se Gjykata Kushtetuese në rolin e vetë Kushtetues ka kompetencën e interpretimit të Kushtetutës dhe jo në krijimin e normave të reja kushtetuese që janë prerogativë e Kuvendit.
“Nuk ka pasur asnjë krizë kushtetuese por një situatë që kërkonte zgjidhje kushtetuese në respekt të parimit të shtetit të së drejtës. Komisioni i Venecias vë ekuilibrin mes respektit të ndërsjellë, nevojës për të pasur të drejtë deputetët të votojnë të lirë dhe detyrimit për të zbatuar vendimet e qarta të Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Bushka.
Fraksion.com