VOA: Sulmohet me granatë dore ndërtesa e komunës së Zveçanit në Kosovë
Autoritetet e Kosovës njoftuan sot se persona të panjohur kanë hedhur një granatë dore në ndërtesën e komunës së Zveçanit në veri të Kosovës të enjten vonë, duke lënë pas vetes dëme materiale, po pa pasoja në njerëz.
Ky është sulmi i dytë brenda pak kohe në këtë komunë të banuar me shumicë serbe, ku të martën e kësaj jave persona të panjohur hodhën dy granata dore në oborrin e stacionit policor.
Policia e Kosovës tha se rasti i së enjtes mbrëma po trajtohet si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, por tani për tani nuk ka të dyshuar dhe nuk dihet asgjë për motivet e sulmit.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se “sulmi i shkaktoi dëme ndërtesës së komunës dhe katër makinave të parkuara aty pranë, ndërsa policia ka nisur hetimet rreth tij”.
Sulmi u dënua nga aurotitetet e Kosovës si akt i papranueshëm i dhunës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e dënoi sulmin por këmbënguli se gjendja në veriun e Kosovës kurrë nuk ka qenë më e mirë dhe më e sigurtë.
“Nuk kemi burime të brendshme të destabilitetit potencial apo të kërcënimit të sigurisë që nuk i menaxhojmë e nuk ia dalim në përballje me ta. Unë besoj që këto janë shprehje edhe e pafuqisë së tyre, ndërkohë që janë akte kriminale dhe terroriste që kanë qëllim të shkaktojnë frikë, mirëpo tashmë në Kosovë nuk mund të ketë as individ dhe as grup a strukturë më të fuqishme sesa shteti i pavarur i Kosovës”, tha kryeministri Kurti duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve ndërsa po merrte pjesë në një ngjarje në Podujevë
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një reagim në rrjetet sociale akuzoi Beogradin se fshihet prapa sulmeve të tilla duke theksuar se “koha e pandëshkueshmërisë dhe amnistisë ndaj bandave kriminale ka përfunduar” dhe se “rendin e ligjin dhe liritë e të drejtat e qytetarëve nuk mund t’i ndalojë askush përmes frikës e terrorizimit”.
Zveçani është një nga katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, që aktualisht udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.
Fraksion.com