Në kryqëzim semaforësh……
Nga Eva Golikja
Vetëm kur zbrita nga autobusi arrita të çlirohem nga ai udhëtim 30 minutash në rrugët trafik plotë të Tiranës e të mbush kraharorin me ajër të pastër. E vetmja gjë që më ngushëllonte mes të nxehtit të çuditshëm dhe bisedës me zë jashtëzakonisht të lartë në telefon të vajzës që ecte përpara meje, ishte fakti që brenda pak minutave do të isha në shtëpi. Për më tepër, për fatin tim të keq, dielli çuditërisht i fortë i kësaj pranvere vazhdonte të më shtonte qukat në mollëzat tashmë të skuqura që nuk gjenin skutë shpëtimtare. Prandaj, numërimi prapa i shumë sekondave të semaforit më duhej si sfida e fundit sepse në anën tjetër të rrugës priste të më shoqëronte hija e freskët e pallateve.
Në kryqëzim ishin mbledhur plot njerëz, disa moskokëçarës, të tjerë me një padurim që u reflektohej në fytyrë dhe në lëvizjet ritmike të gishtit tregues mbi pantallona. Mbase edhe ata mezi po prisnin t’i largoheshin të nxehtit si unë. Madje anash meje ishte edhe ai djali që e shihja të zvarritej kudo nëpër qytet me këmbë të gjymtuara, pa jetë e një dorë gjithnjë ngritur drejt kalimtarëve për të kërkuar lëmoshë. Këto ditë, megjithëse rrezet e stinës nuk janë ende përvëluese, shpatullat e tij lakuriqe ishin nxirë si të një mes korriku. Ndërkohë rreckat e mbetura prej xhinseve të vjetra kishin shëtitur thuajse çdo asfalt e pllakë trotuari. Zakonisht, mjaftonte një pamje e tillë për të rrëmuar nëpër çantë për çfarëdo monedhe që mund të gjeja dhe t’ia zgjasja dorës që dukej sikur do të më ndiqte në çdo cep të ndërgjegjes. Kishte edhe raste kur largohesha pa hedhur shikimin pas duke i thënë vetes se në rastin tjetër do ndihmoja me ushqim, jo para.
Megjithatë sot djali nuk e kishte mendjen te asnjëri në grupin që e rrethonte. Duart e tij nuk ishin të ngritura, trupi nuk po zvarritej dhe askund nuk dëgjohej zëri i mbytur, lutës drejt nesh dhe Zotit. I shpërqendruar nga qyteti, në sekondat ideale të pritjes në semafor, kurrizi i tij tërësisht i kërrusur fshihte gjithë çfarë mund të ishte duke ndodhur me të. Ulje ngritjet ritmike të kraharorit ishin të vetmet që më siguronin që të paktën merrte frymë, por, si pritja gjatë shkëputjeve para ekranit, për të tjerët pamja nuk tërhiqte më shumë se një bisht syri vëmendjeje. Asnjë shqetësim, asnjë kureshtje.
I vetmi që vendosi të reagonte ishte një endacak kalimtar, që me këmbët e zbathura, flokët e shpupuritura dhe çdo pjesë të zbuluar të trupit të pushtuar nga dielli, i kishte shpëtuar kryqëzimit tonë vrastar dhe ecte pa drejtim përkrah makinave. Buzët e tij lëshonin veç thirrma, tingujt nuk formonin fjalë, por sytë shprehnin qartazi frikë për djalin e ri të gjymtuar.
Pas disa përpjekjesh , edhe trupi i këtij të fundit u drejtua dhe fytyra kërkoi vendin nga vinte zëri i shqetësuar. Ngriti vetëm njërën dorën lart dhe i lumtur zbuloi menjëherë ato pak dhëmbë që i kishin mbetur. « Ej kam bër 5 mi lek » i bërtiti nga ana tjetër e rrugës me sa i lejonte fyti i tharë nga vapa e mes drekës në kryqëzimin larg hijeve. Sytë po i shkëlqenin si të kishte fituar lotarinë! Shikonte i lumtur herë vëllain e tij të panjohur, herë atë pak vend të trotuarit që kishte rrethuar. I patrembur nga drita verbuese e diellit, dorën tjetër nuk e shkëpuste për asnjë moment nga toka. I dukej sikur duhej patjetër të mbronte thesarin e tij të çmuar nga kushdo keqbërës aty pranë. Miku i tij i rastësishëm ishte I vetmi që po kuptonte ç’lajm të pabesueshëm mbanin ato 6 fjalë. Ende fillimi I ditës dhe djali pranë vetes kishte plotë pesë mijë lekë! Pavarësisht se fytyra e endacakut ishte e mbuluar nga dielli, balta apo flokët pis të zinj, po i njëjti gëzim dallohej edhe në buzëqeshjen e tij të sinqertë, dashamirëse, pa asnjë grimcë xhelozie, që nuk u shua deri në përshëndetjen e largimit.
Ndërkohë, kryqëzimit dukej se nuk po i interesonte aspak ndriçimi i pazakontë në fytyrën e bashkudhëtarit zvarritës. I vetmi emocion në shprehinë e tij ishte lajmi i ndërrimit të sekondave të fundit të kuqe në rrathët e semaforit. Dikush pranë meje, teksa bëhej gati të shpëtonte prej pritjes, la shishen e vogël të ujit që mbante në duar pranë djalit të ulur në tokë. Ky I fundit shkëputi vëmendjen pa hezitim dhe mori shishen në dorë me mirënjohje. “Faleminderit! Zoti të ndihmoftë!”- belbëzoi gjithë përulje për të mirën që i ishte bërë.
…
Makinat më në fund ndaluan dhe të shtyrat e këmbësorëve më kujtuan që ishte radha ime për të ecur mbi vijat e bardha drejt anës tjetër të rrugës. Kokën e ktheva pas vetëm pasi u fsheha në vendin tim të shpëtimit. Djali ishte ende në kryqëzim, me shishen e paprekur të ujit që po i ngrohej në diell, një grup tjetër vizitorësh të pa interesuar që po mblidheshin rreth tij dhe shikimin si të një fëmije të vogël në qindarkat e tij të verdha dhe gri qe kishte mbledhur e i kishte radhitur me fytyrë nga numrat mbi pllakat e gurta të trotuarit.
Fraksion.com