Trump, trysni kandidatëve për udhëheqës të Senatit të konfirmojnë të emëruarit e tij
Vetëm pak ditë para se republikanët në Senatin amerikan të zgjedhin udhëheqësin e tyre të ri, Presidenti i zgjedhur Donald Trump po u bën trysni kandidatëve që të ndryshojnë rregullat dhe t’i japin atij pushtetin për të emëruar disa zyrtarë pa konfirmimin e Senatit.
Senatorët republikanë, John Thune nga Dakota e Jugut, John Cornyn nga Teksasi dhe Rick Scott nga Florida, garojnë në një proces zgjedhor me vota të fshehta të mërkurën për të zëvendësuar udhëheqësin republikan Mitch McConnell, i cili po tërhiqet nga kjo pozitë pas gati dy dekadash.
Të tre kandidatët kanë bërë përpjekje për të fituar përkrahjen e zotit Trump gjatë garës, duke u munduar të tregojnë se cili prej tyre është më i afërt me presidentin e zgjedhur, ndërkohë që bëjnë fushatë për të marrë drejtimin e shumicës republikane në Senat.
Zoti Trump nuk ka mbështetur asnjërin kandidat, por të dielën e bëri të qartë se pret që udhëheqësi i ri të anashkalojë procesin e rregullt në Senat, nëse është e nevojshme, për të mundësuar konfirmimin me shpejtësi të anëtarëve të kabinetit të ri republikan.
Në një deklaratë në platformat X dhe Truth Social, zoti Trump tha se udhëheqësi i ri “duhet të pajtohet” që ta lejojnë atë t’i bëjë emërimet kur Senati të jetë në pushim, duke e shmangur votën e konfirmimit nga kjo dhomë e Kongresit.
“Secili senator republikan që e synon pozitën e lakmuar të UDHËHEQËSIT të Senatit amerikan duhet të pajtohet me emërimet gjatë kohës së pushimit (në Senat!), pa të cilat nuk mund të konfirmojmë të emëruarit në pozitat e tyre pa vonesa”, shkroi zoti Trump, duke shtuar se këto poste duhet të plotësohen “MENJËHERË!”
Senati nuk i ka lejuar presidentët amerikanë që të bëjnë emërime gjatë kohës së pushimeve në bazë të një vendimi të Gjykatës së Lartë në vitin 2014, i cili kufizonte kompetencat e presidentit ndaj një vendimi të tillë.
Që atëherë, Senati ka mbajtur seanca të shkurta kur senatorët nuk janë të pranishëm për më shumë se 10 ditë në mënyrë që presidenti të mos e shfrytëzojë mungesën e tyre për të filluar t’i plotësojë postet me zyrtarë që nuk janë konfirmuar.
Por me fitoren e bindshme të zotit Trump në zgjedhjet presidenciale, të tre kandidatët sugjeruan se janë të gatshëm ta rishqyrtojnë këtë praktikë. Përgjigja e Senatorit Scott për zotin Trump ishte: “Pajtohem 100 për qind. Do të bëj gjithçka në fuqinë time për t’i miratuar emërimet tuaja sa më shpejt që është e mundur”. Ndërkohë, Senatori Thune tha përmes një deklarate se ata duhet të veprojnë “me shpejtësi dhe vendosmëri” për t’i miratuar emërimet dhe se “të gjitha variantet janë në tryezë për ta realizuar këtë, përfshirë emërimet gjatë kohës së pushimeve”.
Senatori Cornyn tha se: “Është e papranueshme që senatorët demokratë t’i bllokojnë emërimet për postet në kabinetin e Presidentin Donald Trump. Nëse e bëjnë këtë, ne do ta vazhdojmë seancën, madje edhe gjatë fundjavës, derisa të dorëzohen”.
Ai tha se emërimet gjatë kohës së pushimeve lejohen në bazë të Kushtetutës.
Debatet në rrjetet sociale gjatë ditës së diele ishin prova e parë për tre kandidatët që kur zoti Trump u zgjodh javën e kaluar për një mandat të dytë presidencial.
Marrëdhëniet e zotit Trump me Kongresin, sidomos kur bëhet fjalë për rolin e Senatit në konfirmimin e emërimeve, ishin të trazuara gjatë mandatit të tij të parë. Ai u përball me rezistencën e demokratëve në plotësimin e posteve të emëruara.
Ndërsa fillon një mandat të dytë, pas një fitoreje të thellë zgjedhore, zoti Trump po jep shenja se pret që republikanët e Senatit dhe udhëheqësi i tyre të pajtohen me emërimet për të formuar kabinetin e tij.
Zoti Trump shkroi në rrjetet sociale të dielën se Senati nuk duhet të miratojë emërimet e gjykatësve para se republikanët të marrin qeverisjen vitin e ardhshëm, një kërkesë më e vështirë për t’u realizuar pasi demokratët kontrollojnë Senatin dhe debatin në sallë deri në betimin e ligjvënësve të rinj më 3 janar.
Zoti Trump u shpreh se: “Demokratët po përpiqen të miratojnë gjykatësit që dëshirojnë ndërkohë që republikanët grinden për postin drejtues. KJO ËSHTË E PAPRANUESHME”.
Me votimin të mërkurën, gara për udhëheqësin e ri republikan të Senatit është krejtësisht e paqartë.
Senatorët Thune dhe Cornyn gëzojnë mbështetje dhe kanë karriera të gjata, të cilët kanë shërbyen si zëvendës të Senatorit McConnell dhe konsiderohen si më favoritët në këtë garë, pavarësisht kritikave ndaj zotit Trump në të kaluarën.
Senatori Scott ka më pak gjasa, por gjatë ditëve të fundit ai ka bërë një fushatë agresive në mediat sociale ku synon të fitojë përkrahjen e zotit Trump.
Senatorët që janë të afërt me zotin Trump, siç është Mike Lee nga Jutah dhe Marco Rubio nga Florida, kanë mbështetur Senatorin Scott, ndërkohë që gëzon edhe përkrahjen e sipërmarrësit në sektorin e teknologjisë, Elon Musk, dhe njerëzve të tjerë përreth zotit Trump.
“Ne duhet të jemi ndryshimi”, deklaroi Senatori Scott në rrjetin Fox News. “Për këtë u zgjodh Donald Trumpi, për të qenë ndryshimi”.
Të tre kandidatët po premtojnë se do të jenë më të hapur dhe më transparent se Senatori McConnell dhe se do t’u japin senatorëve më shumë kompetenca. Ata po ashtu po përpiqen të sqarojnë se do të kenë një marrëdhënie shumë më të ndryshme me zotin Trump se Senatori McConnell.
Ndërkohë që Senati shqyrton mënyrën e konfirmimit të posteve në kabinetin e zotit Trump, shumë nga aleatët e tij po bëjnë fushatë për të siguruar poste. Ish kandidati republikan për president Vivek Ramaswamy deklaroi në televizionin ABC se “po shqyrtohen disa alternativa shumë të mira”.
Senatori Bill Hagerty, republikan nga shteti Tenesi, i cili shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Japoni nga vitit 2017 deri në vitin 2019, deklaroi në televizionin CBS se ishte nderi më i madh që ta përfaqësojë administratën e zotit Trump në botë. Ai tha se do t’i çojë përpara “qëndrimet e artikuluara nga Presidenti Trump”.
“Do ta bëj këtë në çdo rol që të më besohet”, deklaroi Senatori Hagerty, i cili mbështeti Senatorin Scott në garën për udhëheqjen e Senatit.
Ndërkohë që zoti Trump ka bërë publike vetëm disa emërime deri më tani, ai ka mohuar se do t’iu jap pozita të larta dy personave./VOA
Fraksion.com