AktualitetPolitikëTë fundit

Hasani: Objektiv përfundimi i negociatave me BE deri në fund të vitit 2027

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh sot i inkurajuar nga mbështetja e Komisionit Evropian për qëllimin ambicioz të Shqipërisë, për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, si dhe për hapjen e një grupi tjetër të kapitujve këtë vit.

Në një reagim në platformën X pas publikimit të progresraportit të vitit 2024 nga Komisioni Evropian për Shqipërinë, Hasani u shpreh se, “njohja e progresit të Shqipërisë, në komunikimin e këtij viti mbi Politikën e Zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe Raportin 2024 për Shqipërinë, pasqyron angazhimin tonë të fortë në përparimin e reformave dhe për të fituar ritmin në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

“Ne jemi veçanërisht të inkurajuar nga mbështetja e Komisionit për qëllimin tonë ambicioz, për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, si dhe për hapjen e një grupi tjetër të kapitujve këtë vit”, theksoi Hasani.

Ministri Hasani nënvizoi se, Shqipëria mbetet e palëkundur në përafrimin e plotë me politikat e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke mbështetur parimet evropiane të sigurisë.

“Ne do të vazhdojmë të luajmë një rol aktiv në promovimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajonin e Evropës Juglindore”, shtoi Hasani.

Fraksion.com