AktualitetBota+Të fundit

Zyrtarët e lartë të mbrojtjes izraelite vizitojnë bazën ushtarake të goditur me dron nga sulmi vdekjeprurës i Hezbollahut

Zyrtarët më të lartë të mbrojtjes izraelite kanë vizituar bazën ushtarake në Izraelin verior që u godit nga një sulm vdekjeprurës i Hezbollahut, duke u zotuar të hetojnë se si droni arriti t’i shmangej mbrojtjes ajrore të Izraelit.

Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant vizitoi bazën të hënën në mëngjes, duke thënë se sulmi ishte “një ngjarje e vështirë me rezultate të dhimbshme”.

Katër ushtarë u vranë dhe më shumë se 60 të tjerë u plagosën, duke përfshirë tetë rëndë, kur droni goditi bazën stërvitore të Brigadës Golani në kohën e darkës.

Brigada Golani konsiderohet si një njësi elite e këmbësorisë izraelite që është dislokuar në Libanin jugor si pjesë e operacionit tokësor të Izraelit atje.

Gallant pranoi kërcënimin me të cilin përballej Izraeli nga dronët, duke thënë se qeveria po “koordinonte një përpjekje kombëtare dhe po punonte në zhvillimin e zgjidhjeve për të ndihmuar në adresimin e kërcënimit”.

Sulmi i së dielës ishte hera e dytë në vetëm dy ditë që dronët e Hezbollahut ishin në gjendje të depërtonin thellë në territorin izraelit. Ushtria izraelite të premten kapi një nga dy dronët e gjuajtur nga Libani. Një shtëpi pleqsh në qytetin bregdetar të Herzliya, në Izraelin qendror, u dëmtua.

Shefi i shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Herzi Halevi, vizitoi bazën të dielën vonë.

“Ne jemi në luftë dhe një sulm në një bazë stërvitore në frontin e brendshëm është i vështirë dhe rezultatet janë të dhimbshme,” tha ai.

 

Fraksion.com