AktualitetTë fundit

GJKKO urdhëron SPAK të hetojë ish-kryebashkiakun Elvis Roshi

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar urdhëron Prokurorinë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të vijojë hetimet ndaj ish-kryetarit të bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, i cili u largua nga pozicioni i kryebashkiakut për shkak të dekriminalizmit.

Roshi u hetua nga Prokuroria e Durrësit, e cila vendosi pushimin e hetimeve, por tashmë Gjykata e Posaçme antikorrupsion vendosi që hetimin e çështjet ta ketë në ngarkim SPAK.

“Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datë 30.11.2023, është regjistruar kërkesa penale me nr. 23/113 akti, ardhur për shkak të deklarimit të mos kompetencës lëndore nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: “Pushimin e procedimit penal nr. 317 të vitit 2017, të regjistruar pa autor për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K. Penal”, me palë kërkuese Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe kallëzues Kontrolli i Lartë i Shtetit”, njofton GJKKO.

“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, vendosi: Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: Pushimin e procedimit penal nr.317 të vitit 2017, të regjistruar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Po ashtu gjyqtarja Palloj vendosi: “Kalimin e akteve që ndodhen pranë kësaj gjykate, të përcjella nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankimit brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, përfundon njoftimi i GJKKO.

Fraksion.com