Pentagoni njofton për 300 milionë dollarë armatime të reja për Ukrainën
Pentagoni do të dërgojë me shpejtësi armatime me vlerë prej 300 milionë dollarësh në Ukrainë, pasi shqyrtoi kontratat aktuale dhe identifikoi hapësira për të ulur kostot. Shtëpia e Bardhë tha të martën se sidoqoftë ushtrisë i duhen të paktën 10 miliardë dollarë buxhet shtesë për të riplotësuar të gjitha armatimet që ka tërhequr nga rezervat për t’ia dërguar Ukrainës.
Kjo është ndihma e parë për Ukrainën që njofton Pentagoni që nga muaji dhjetor, kur pati njoftuar se kishin mbaruar fondet. Madje gjatë ditëve të fundit, zyrtarët pranuan publikisht se jo vetëm që kishin përfunduar fondet, por se duheshin edhe 10 miliardë dollarë të tjera.
Njoftimi u bë ndërsa Ukrainës i ka rënë në mënyrë të rrezikshme niveli i municioneve dhe ndërsa përpjekjet për të siguruar armatim të ri kanë ngecur në Dhomën e Përfaqësuesve për shkak të kundërshtive të ligjvënësve republikanë. Zyrtarët amerikanë patën këmbëngulur prej muajsh se Shtetet e Bashkuara nuk do të ishin në gjendje të rifillonin me dërgesat e armatimeve derisa Kongresi të miratonte fondet shtesë, të cilat janë pjesë e projektbuxhetit të ngecur.
Fondet shtesë do t’i kishin mundësuar Pentagonit që të tërhiqte nga rezervat aktuale bazuar në urdhëra ekzekutivë të presidentit, për t’i dërguar ato në Ukrainë dhe për të shpallur kontrata të reja për blerje armatimi që do të zëvendësonte këto rezerva të nevojshme për gjendjen e gatishmërisë së ushtrisë amerikane.
“Kur forcat ruse përparojnë dhe godasin me artileri, Ukraina nuk ka municion të mjaftueshëm për t’iu kundërpërgjigjur zjarrit”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan, ndërsa njoftoi ndihmën prej 300 milionë dollarësh.
Pentagoni gjithashtu ka vepruar në kuadrin e një iniciative tjetër për Ndihmën për Sigurinë e Ukrainës (USAI), që ka mundësuar financimin e kontratave më afatgjata me industrinë e mbrojtjes për të prodhuar armë të reja për Ukrainën.
Fraksion.com