Vajzën nga Venezuela e hodhën nga ballkoni/ Policia zbardh ngjarjen: 5 shtetaset e huaja kishin marrë banesë me qira për të ushtruar prostitucion
Policia në Durrës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur gjatë ditës së djeshme në Durrës. Efektivët kanë proceduar penalisht 39-vjeçarin, që hodhi nga ballkoni vajzën nga Venezuela. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 5 vajza me shtetësi të huaj. Ata kishin marrë me qira një banesë në Durrës dhe ushtronin prostitucion. Përpos kësaj, konsumonin edhe lëndë narkotike.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Procedohen penalisht 5 shtetase të huaja që ushtronin prostitucion në një banesë të marrë me qira, në lagjen nr. 2, ku dhe përdoreshin lëndë narkotike.
Procedohet penalisht 39-vjeçari, i cili mesditën e djeshme, për motive të dobëta, u konfliktua me njërën nga shtetaset e huaja.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni”, për shtetaset L. O., 27 vjeçe, e lindur në Kolumbi, C. P., 30 vjeçe, e lindur në Venezuelë, Y. P., 47 vjeçe, e lindur në Spanjë dhe D. R., 24 vjeçe, e lindur në Venezuelë. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Prostitucioni”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Përshtatja e lokaleve për përdorim droge”, për shtetasen D. L., 23 vjeçe, e lindur në Barcelonë.
Nga verifikimet dyshohet se këto 5 shtetase ushtronin prostitucion në një banesë të marrë me qira, në lagjen nr. 2., ambient të cilin e kishin përshtatur gjithashtu për përdorim të lëndëve narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com