‘Skifterët’ vjedhin një ‘Land Rover’ dhe një ‘Benz’ në një biznes në Kavajë, pronari: Kanë çaktivizuar kamerat e sigurisë
Dy automjete luksoze janë vjedhur dy net më parë nga një biznes shit-blerje makinash, i cili ndodhet në autostradën e Kavajës.
Pronari i këtij biznesi, shtetasi me iniciale A.D., (emrin e plotë nuk po e bëjmë publik për të ruajtur anonimatin), ka denoncuar rastin pranë redaksisë së BalkanWeb, duke deklaruar se në orën 02:00 të mëngjesit, dy ditë më parë, i kanë vjedhur një mjet tip “Land Rover” dhe një mjet tip “Benz”.
Ai deklaron se autorët kanë çaktivizuar kamerat e sigurisë që ka në biznes, si dhe kanë fshirë regjistrimet e një javë. Pronari i këtij biznesi, i cili jeton jashtë vendit, ka bërë denoncim në Policinë e Kavajës, por deklaron se ende nuk ka asnjë informacion për autorët dhe për hetimin që po kryhet.
Pronari në fjalë ka mundur të sigurojë kamjet filmike nga një tjetër biznes pranë, ku shihet duke u larguar makina tip “Benz”. Ndërkaq deklaron se nga burime private ka mundur që përmes disa pamjeve të tjera filmike, të konfirmojë se makinat kanë ikur në drejtim të Elbasanit, e më pas në drejtim të Tiranës.
Ai thotë se edhe në vitin 2018 biznesi i tij ka rënë pre e grabitjes, ndërsa deklaron se nuk ka dyshime te persona të caktuar dhe se nuk ka konflikte me askënd.
Sakaq, u shpreh se në momentin që ka ndodhur grabitja, në biznes ka qenë edhe vëllai i tij duke fjetur, por nuk ka kuptuar asgjë. “Ndoshta i kanë hedhur diçka”, tha ai për BalkanWeb, ndërsa i bën thirrje policisë që të zbardhë ngjarjen.
Fraksion.com