Plani i ri i i BE i rritjes ekonomike, Rama në Shkup: Mundësi e madhe që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet ta humbin
Kryeministri Edi Rama po merr pjesë sot në takimin mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE, SHBA e institucioneve financiare ndërkombëtare, mbi Planin e Ri të Rritjes që Komisioni Europian ka futur tanimë në axhendën BE, për të mbështetur integrimin e përshpejtuar të rajonit tonë në Tregun e Përbashkët Europian, si edhe financimin e prioriteteve ekonomike.
Në një mesazh para nisjes së takimit, Rama u shpreh se “ky është vërtetë një takim shumë i rëndësishëm, sepse ne jemi këtu për të bashkuar mendimet tona me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe administratës amerikane për hapin e madh që ne mundemi dhe duhet të ndërmarrim, që është t’i afrohemi më shumë Bashkimit Evropian. Bëhet fjalë për planin e rritjes dhe integrimin në tregun ndërkombëtar”.
“Kjo e fundit deri tani ka qenë e mundur vetëm për shtetet pjesë të Bashkimit Europian. Prandaj është një ndryshim i rëndësishëm dhe një mundësi e shkëlqyer, e cila nuk duhet humbur dhe prandaj është esenciale që ne t’ia dalim të punojmë së bashku, të gjashtë shtetet e Ballkanit, është esenciale që ne të vëmë qytetarët tanë të parët dhe të lëmë politikën dhe historinë për më pas, sepse çfarëdolloj gjëje që do të bëjmë dhe nëse do mundemi t’i bëjmë gjatë kësaj kohe për të përfunduar gjërat në muajt në vijim, do të përcaktojnë sesi do të jenë vendet tona në fund të kësaj dekade”, theksoi Kryeministri Rama.
Fraksion.com