AktualitetPolitikëTë fundit

“Të kthesh një anije të madhe është shumë më vështirë sesa të kthesh një varkë”, ama tregon përse largoi Margaritin dhe zgjodhi Gonxhen

Kryeministri Edi Rama bëri një përmbledhje takimit dy ditor informal në Shëngjin nga ku për ndryshimin e fundit në qeveri, nuk dha ndonjë vlerësim performance për ministren e larguar Elva Margariti siç e bëri kur propozoi Blendi Gonxhen si ministër.

“Në fakt unë kam thënë më shumë se një fjalë për këtë dhe ministria e re nuk është krijuar për të larguar zonjën Margariti e cila ka bërë detyrën e vet në krye të Ministrisë së Kulturës, por është për të krijuar një strukturë të re për ato arsye që unë kam paraqitur shkurtimisht, që janë shtjelluar pak më gjatë në relacionin që i kam dërguar dhe Presidentit të Republikës dhe që kanë të bëjnë pikërisht me nevojën e jashtëzakonshme të vendit për të ecur më shpejt duke thyer edhe kufijtë tradicionalë në ndërkohën kur ekonomia jonë, sektori po themi institucional, pjesa institucionale që mbulon ekonominë ka nevojë për një shtysë të re të fortë sepse janë një sërë sfidash të cilat kërkojnë një vëmendje të veçantë në këtë fazë, në ndërkohën kur inovacioni është ekonomi dhe kërkon po ashtu një udhëheqje dhe një orientim të drejtpërdrejtë që nuk mund ta bëjë kush tjetër në këtë fazë përveçse një ministrie ekonomie e cila duhet të orientojë dhe duhet të mbështesë dhe duhet të shoqërojë dhe biznesin në nevojën për inovacion dhe jo vetëm të koordinojë të gjitha institucionet e tjera sepse një nga problematikat më të rënda që ne kemi trashëguar nga e shkuara ka qenë  kioskëzimi si një fenomen shumë më i gjerë sesa kioskëzimi material i ngrehinave në territor.

Ne kemi pasur një qeverisje të kioskëzuar, një shtet të kioskëzuar dhe viktimë shembullore e këtij mentaliteti qeverisës dhe i kësaj kulture të dobët të shtetit është inovacioni. Është investuar në inovacion në sensin që është investuar në digjitalizim më saktë, në vite edhe më parë, modestish, por është investuar mirëpo janë krijuar sisteme të mbyllura që nuk komunikojnë me njëri tjetrin, i cili ka ndërtuar një sistem.

Nëse flasim për përparime të caktuara, ne kemi sistemin më të prapambetur më arkaik, më banal të drejtësisë në Europë nëse flasim për digjitalizim. Akoma me defterë, që janë shumë më të keq renditur sesa defterët e kohës së Perandorisë Otomane dhe të periudhës së diktaturës, kjo është e kuptueshme. Kanë shumë më të tepër gabime ortografike dhe formulime ekstravagante të pakuptueshme sesa në kohën e Perandorisë Otomane dhe në kohën e diktaturës dhe mbi të gjitha nuk mundësojnë asnjë shpejtësi dhe asnjë transparencë në trajtimin apo në monitorimin e çështjeve gjyqësore dhe problemi konceptual filozofik është që ndërkohë që ne insistojmë prej vitesh të kërkojmë nga institucionet e reja të drejtësisë dhe këtu e kam fjalën për këshillat përkatës që të qasen në mënyrë bashkëpunuese dhe konstruktive dhe ne kërkojmë që të bëhet pjesë e të njëjtit sistem, dëgjojmë broçkulla për pavarësinë. Pavarësia është një gjë dhe sistemi është një gjë tjetër. Mercedez- Benz prodhon makina për të gjithë, pastaj secili shofer në mënyrë të pavarur drejton makinën e vet”, tha Rama.

“Sepse të kthesh një makinë te madhe, një anije të madhe është shumë më vështirë sesa të kthesh një varkë që nuk i ka të gjitha ato pajisjet e anijes së madhe, por ka mundësi të kthehet, kështu që në ketë sens dhe inovacioni dhe kultura është bashkuar aty për t’i dhënë mundësi vetes që të shfrytëzojmë shumë më tepër potencialin që kultura ka për ekonominë. Kultura nuk është vetëm ekspozim dhe mirëmbajtje dhe promovim i asaj që ke, por është edhe motor i ekonomisë.  Prandaj është bërë kjo. E kjo nuk ka lidhje me persona, kjo ka lidhje me nevojën që sistemi të bëhet me eficent dhe që ne të marrim më shumë nga potenciali që kemi. Dhe po ashtu kam shpjeguar pse kam bërë zgjedhjen e ministrit të ri, sepse është një nga drejtuesit publikë më te sprovuar dhe me një sukses të pranuar nga të gjithë. Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ishte një kioskë banale, një çerdhe korrupsioni, një nga skenat më brutale të maskaradës antishtet që ne trashëguam. Fakti që ne arritëm të bëjmë që Republika Federale e Gjermanisë të pranojë njohjen e patentës sonë, e lejes sonë të drejtimit, i thotë të gjitha.

Domethënë kemi krijuar, ose më saktë nën lidershipin e tij është krijuar një  institucion shqiptar që mund ta marrësh, mund ta vendosësh në gjithë hartën e institucioneve evropiane të sektorit dhe plotëson të gjitha standardet, se ndryshe nuk të njeh Gjermania patentën. Nuk të jep Gjermania ty mundësi të drejtosh makinën me një patentë të marrë te Qafa e Kërrabës me detyrimin që të votosh për partinë X dhe pa bërë test, se nuk mundet Gjermania që makinat që lëvizin në territorin e saj, të  jenë “autobomba për të vrarë’’ njerëz për shkak shoferësh që kanë një patentë, por s’kanë dijeni se si i jepet makinës. Dhe fakti që institucionet e asaj drejtorie janë institucione model, janë si ky këtu hotel për pritjen, përcjelljen, eficiensën e shërbimit, shkurtimin e burokracisë e të gjitha përmes inovacionit flet vetë dhe plus background-i mbrapa kulturor dhe lidhja e mëhershme me kulturën e ministrit të ri, e cila bëri që Drejtoria e Transportit të behej e famshme dhe të bëhej e dashur për të gjithë njerëzit, jo vetëm për shërbimet, por edhe për gjithë segmentin e ri të Retro-s, po ashtu flasin vetë për ‘pse’’”, tha Rama.

Kryeministri ka kërkuar rritjen e cilësisë së stafeve të parlament. U ndal edhe në reformën zgjedhore duke artikuluar ecjen përpara nëse është nevoja pa komision be-partizan dhe bërjen e 84 votave për ligje me shumicë të cilësuar me faktorë të tjerë brenda në parlament.

Ndërsa për drejtimin e mundshëm në të ardhmen të bashkisë Himarë tha: E para e punës, njëherë, vendimi i gjykatës së Posaçme është një vendim pozitiv në këndvështrimin tim për ato arsye që kam thënë edhe për një hapësirë që krijon, por së pari një herë nuk është një vendim i formës së prerë.Duhet të presim të marrë formë të prerë, se nuk mund të veprojmë ne me një vendim të shkallës së parë dhe pastaj vendimi i Apelit të thotë diçka tjetër. Është një vendim i shkallës së parë.

E dyta, të gjitha këto të tjerat që kanë qarkulluar, kanë si burim median greke. Nuk kanë si burim as median shqiptare, as qeverinë, as zyrën time. Unë nuk komentoj çfarë më vë mua në gojë apo në kurriz media greke, pa më pyetur edhe mua. Nuk kam çfarë komentoj. Janë histori që unë i kam parë në median shqiptare, të marra nga media greke. Nuk kam parë ndonjë media shqiptare të thotë ky, ai, ajo. Kështu që, është një pyetje për kolegët tuaj grekë në gazeta, portale, televizione ose kur t’ju jepet mundësia pyesni autoritetet greke. S’është pyetje për mua kjo. Unë di që ne presim vendimin e formës së prerë.

Në këtë mbledhje dy ditore është diskutuar edhe për projektet madhore në infratrukturë njëri prej tyre i dakortësuar me qeverinë e Kosovës në kalimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës, nga Shkodra.

Brenda këtij viti tha kryeministri  do të hapet për qarkullim rruga  Thumanë -Kashar për të vijuar me ndërtimit të aksit Kashar- Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Lekaj.

Gjatë muajve në vijim pritet hapja e garës ndërkombëtare për Portin e Madh të Durrësit, në Porto Romano.

Kryeministri njoftoi ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Transportit përfshi krijimin e një agjencie aksionere për prodhimin e automjeteve për nevojat e shtetit dhe eksport.

 

Fraksion.com