AktualitetTë funditUnë

Ju tregoj Korçën time!

Nga Marina Kërçeli

 

Toka shqiptare është vendi ku po rritem dhe po krijoj identitetin tim, në afro 25 vite. Aq sa numërojnë dhe supet e mi. E lindur në një vend të vogël, në Devoll i cili është në zemër të rajonit Juglindor, pikën më të afërt turistike ka Korçën. Korça, aty ku u ngrit dhe mësimtorja e parë e gjuhës shqipe ka ditur të nxjerrë ndër vite qytetarë që e duan dhe punojnë fort, duke e kthyer atë në Parisin e Vogël. Vizitat e mia kanë qenë të shumta në këtë qytet, cep më cep duke zbuluar të gjithë kulinarin që të ofron Korça, destinacioni i shkëlqyer pranë kufirit me Greqinë dhe Maqedoninë.

Për ata që nuk e njohin dhe duan ta vizitojnë Korçën, mjafton të nisen drejt rrugës që kalon përgjatë liqenit spektakolar të Ohrit, një nga liqenet më të vjetra dhe më të thella në Evropë. Edhe pse do të duhet minimalisht 3 orë deri sa të arrijë në Korçë, kjo rrugë të ofron mundësinë të shijosh pamjen e maleve të mbuluara me borë, ndër më të bukurat që mund të shihni ndonjëherë në Ballkan. Korça është një nga destinacionet më popullore për shqiptarët që kalojnë pushimet e tyre, veçanërisht gjatë sezonit të dimrit, kur reshjet e dëborës i japin qytetit një atmosferë shumë romantike. Tani më së shumti, ia vlen që të shkëputeni nga rutina juaj dhe të gjeni pak kohë për këtë qytet në tokën e Shqiponjave. Pazari i Vjetër, është destinacioni i parë ku mund të gjeni çdo gjë, nga ëmbëlsirat, restorantet apo edhe vendin ideal për të kaluar një mbrëmje të këndshme me miqtë mes rrugëve me kalldrëm që duket se formojnë një labirint. Në dimër është bora, janë skitë, oxhaku; në pranverë lulet, shushurima e pyjeve dhe shëtitjet çlodhëse rreth e rrotull. Numri i turistëve sa vjen e rritet, e kështu, e bën atë të gëzojë traditë të pasur në vlera.

Kjo zonë e qytetit, më shumë se Parisi të afron traditën e Juglindjes e cila hera herës të lë pa fjalë. Edhe në dokumente zyrtare vërtetohet se Korça ka ditur të ruajë dhe trashëgojë ndër vite fizionominë duke bërë diferencë nga qytetet e tjera të vendit, të cilët u karakterizuan nga një fenomen ende i pandalshëm i ndërtimeve pa kriter. Merita i takon korçarëve, të cilët me fantatizëm e kanë ruajtur qytetin duke qenë të kujdesshëm me mënyrën se si kanë ndërtuar dhe ruajtur elementet tradicionale të stilit, otoman, italian dhe rumun me ato moderne. Korça ende ruan lagjet karakteristike me kalldrëm dhe ajo që bie në sy janë vilat të cilat janë të ndërtuara me dy elemente tradicionale: gurin dhe kangjellat.

‘Parisi i vogël’ është përherë një qytet me gastronomi të larmishme, duke ndërthurur elementët tradicionale të cilët ende dhe sot ruajnë zajret e dimrit si trahanaja, petkat, apo edhe lakrori i famshëm, duke mos harruar edhe prodhimet e mishit. Ato që preferohen më shumë janë kërnackat e Korçës, rakia e rrushit, petullat e fshira, wisky i dëllinjës, apo edhe ëmbëlsirat si qëmoti. Qyteti që gjithmonë e ka dashur të bukurën dhe hijeshinë, ka ditur të dallojë tek vizitorët falë kulturës, nga pastërtia, apo edhe rregulli i korçarëve për t’u veshur bukur dhe për të qenë gjithmonë të edukuar. Nëse do të zgjidhni të vizitoni Korçën apo ju ka rastisur të vizitoni qytetin e kalldrëmtë, nuk ndodh që mos të dëgjoni shprehjet tipike të cilët i dallojnë qytetarët e kësaj zone.

Korça qyteti i kulturës, historisë, artit, dashurisë!

Sepse Korça, jo vetëm si qytet, por edhe në të gjithë territorin dhe fshatrat e saj, ka resurse të mrekullueshme turistike. Gjen hotele dhe lokale luksi me një gatim të shkëlqyer të kuzhinës tradicionale. Korça ka tradita dhe zakone të veçanta, që dëshmon se ky qytet ka qenë një vatër e kulturës me shumëllojshmëri vlerash materiale e shpirtërore për popullin tonë. Populli i këtij rrethi ka gojëdhënat, përrallat, gjëegjëzat, këngët e fjalë të urta, të njohura në gjithë vendin. Veshja më e vjetër e traditës për burra është fustanella, kallat dhe opingat me xhufka të zeza e fesi me ngjyrë të bardhë për kokën, ndërsa gratë vishnin xhamadan dhe vinin shami në kokë. Mikpritja nuk mungon kurrë në këtë zonë, por e veçanta e korçarëve është fakti se këta të fundit janë gojëmbël në ledhatimin e fjalëve.

Fshatrat kanë mikpritje që vetëm banorët e këtyre anëve dinë ta bëjnë. Shtëpitë ndrijnë nga pastërtia. Fermerët e kësaj zone janë nga më punëtorët. Pas emigrimit, të mësuar për të jetuar jashtë familjes, ata qenë të parët që morën rrugën e kurbetit. Si në gjithë vendet, edhe Korça u ‘pushtua’ nga investitorë, duke ndërtuar vila e bujtina, duke e bërë qytetin edhe më të mirë./dritare.net

Fraksion.com