AktualitetBota+Të fundit

Shtatë të arrestuar në Gjermani, Danimarkë dhe Holandë nën dyshimet për planifikim sulmesh terroriste

Shtatë persona, përfshirë katër të dyshuar anëtarë të Hamasit, u arrestuan në Danimarkë, Gjermani dhe Holandë nën dyshimet për planifikimin e sulmeve ndaj institucioneve hebraike në Evropë, njoftuan autoritetet e tre vendeve të enjten.

Arrestimet u kryen ndërsa Izraeli vazhdon operacionet për të shkatërruar Hamasin në Rripin e Gazës, një luftë që u nxit nga sulmi i 7 tetorit mbi qytetet izraelite nga militantët e lëvizjes islamike palestineze.

Tre nga të dyshuarit u arrestuan në Berlin dhe një tjetër në Holandë. Prokurorët gjermanë thanë përmes një deklarate se të arrestuarit janë anëtarë të vjetër të Hamasit, me lidhje të ngushta me udhëheqjen e krahut ushtarak të lëvizjes.

Një zyrtar i Hamasit e mohoi se të arrestuarit kishin lidhje me grupin.

Tre të arrestuarit në Danimarkë do të përballen me klauzolën e kodit penal për terrorizmin dhe do të dalin para gjykatës, njoftoi policia. Nuk është e qartë nëse arrestimet në Danimarkë kishin lidhje me arrestimet në Gjermani dhe Holandë.

Prokurorët gjermanë thanë se shtetasi holandez Nazih R u arrestua nga policia në Roterdam, ndërsa Abdelhamid Al A dhe Ibrahim El-R, të lindur në Liban, si dhe shtetasi egjiptian Mohamed B, u arrestuan në kryeqytetin gjerman.

Abdelhamid Al A ishte ngarkuar nga udhëheqësit e Hamasit në Liban për gjetjen e burimeve për sigurimin e armatimeve, thanë prokurorët. Armët do të çoheshin në Berlin dhe do të mbaheshin gati për sulme të mundshme terroriste kundër institucioneve hebraike, njoftuan autoritetet.

“Pas sulmeve të tmerrshme të Hamasit ndaj popullatës izraelite, sulmet ndaj hebrenjve dhe institucioneve hebraike janë shtuar edhe në vendin tonë javët e fundit”, tha Ministri i Drejtësisë i Gjermanisë, Marco Buschmann, në një deklaratë lidhur me arrestimet. “Prandaj ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që hebrenjtë në vendin tonë të mos kenë frikë përsëri për sigurinë e tyre”.

Zyrtari i Hamasit, Sami Abu Zuhri i tha agjencisë së lajmeve Reuters se: “Ne mohojmë se ka anëtarë të Hamasit të arrestuar në Danimarkë, Gjermani ose ndonjë vend tjetër evropian. Publikimi i këtyre akuzave synon të ndikojë tek protestat masive në Evropë në mbështetje të palestinezëve”.

Policia holandeze tha se kishte arrestuar një 57-vjeçar në Roterdam të enjten me kërkesë të autoriteteve gjermane në një hetim danezo-gjerman.

Në një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, thuhet se agjencia izraelite e spiunazhit “Mossad” kishte njoftuar se Danimarka kishte ekspozuar “infrastrukturën e Hamasit në territorin evropian”.

Policia dhe agjencia e zbulimit danez nuk komentuan lidhur me deklaratën izraelite. Ministria e Drejtësisë nuk pranoi të komentonte.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, u citua nga agjencia e lajmeve Ritzau të ketë thënë se: “Në lidhje me Izraelin dhe Gazën, është krejtësisht e papranueshme që dikush të sjellë një konflikt diku tjetër në botë në shoqërinë daneze”.

Policia daneze tha se bastisjet e së enjtes pasuan hetimet e bëra në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e huaj, të cilat kishin zbuluar një rrjet individësh që përgatisnin një sulm terrorist.

Policia tha se do të rrisë praninë e saj publike në ditët në vijim, veçanërisht në Kopenhagë dhe rreth lagjeve hebraike. Komuniteti hebre në Danimarkë tha se ishte informuar për bastisjet, por nuk kishte asnjë njohuri për kërcënimet aktuale ndaj objekteve hebraike./VOA

 

Fraksion.com