Uncategorized

“Firmosën të gjithë të thesarit të shtetit”, Marku: Çova në Zvicër 2 ton ar dhe 25 ton argjend

Nikoll Marku është dëshmitari i asaj që ndodhi kur u vendos që ari i Rubikut të çohej në Zvicër, në vitin 1988.

Nikoll Marku ish-drejtor në Uzinën e Bakrit në Rubik dhe kimist në laboratorin e arit sqaron legjendat që kanë qarkulluar se floriri i nxjerrë në Rubik u nxor jashtë Shqipërisë në emër të Enver Hoxhës.

Zoti Marku thotë se ai bashkë me specialistë të tjerë e kanë shoqëruar arin e Rubikut në Zvicër, por në emër të shtetit shqiptar dhe jo të Enver Hoxhës.

“Në vitet e ndërrimit të sistemit, u dha urdhër që thesari i shtetit të shkojë për ruajtje në një nga filialet tona në Zvicër ose në Amerikë. Na thanë të bëhemi gati për të mbrojtur cilësinë tonë të floririt që do të shkonte atje. Ne duhet të mbronim cilësinë e raportuar. Unë kisha hedhur firmën për cilësinë e arit. Ndaj duhet të shkoja të verifikoja cilësinë. Unë nuk kisha frikë isha i sigurt për analizat që kisha bërë dhe raportin që kisha firmosur. Shkuam në Zvicër, me pak frikë sepse ishim në një avion plot me ar. Ishim me përfaqësuesit e thesarit të shtetit dhe unë.

Në Rinas hipëm në një avion enkas për të transportuar arin e Shqipërisë. Gjithë sasia që ishte nxjerrë nga Rubiku, u bë gati nëpër ambalazhe apostafat për t’u transportuar në Zvicër. Kur shkuam në Zyrih udhëheqës të shtetit morën në telefon drejtorin e thesarit dhe i thanë që ne kemi festë sonte që keni arritur shëndoshë e mirë në Zvicër. Aty e kuptuam që kishim qenë në rrezik, por në asnjë rast nuk e kishim menduar një skenar që avioni të mund të goditej nga Serbia. I gjithë udhëtimi ynë ishte sekret, as familjes nuk ia kishim treguar.”, tregon zoti Marku.

Ai tha se e  shoqëroi arin në emër të shtetit shqiptar. “Ka pasur legjenda që arin e ka marrë Enver Hoxha. Jo ari u dërgua në Bankën e Zvicrës, në emër të shtetit dhe jo të Enver Hoxhës. Ne jemi betuar që nuk ka hile, që kemi firmosur vetëm në emër të shtetit. Në atë kohë Enver Hoxha kishte vdekur.

Të gjithë të thesarit të shtetit, drejtorë, nëndrejtorë, hodhën firmën për sasinë dhe për cilësinë e arit. Ishte një garanci e fortë. Për sa i takon sasisë, ishte rreth 2 ton ar dhe 25 ton argjend. Çdo kallëp ari, rakordoi me analizat që kisha bërë unë në laboratorin e uzinës në Rubik. Ndaj na përgëzuan shumë për punën e bërë në Uzinën e Rubikut. Sot floriri ynë është atje, te filiali i Shqipërisë.”, tha specialisti Nikoll Marku./dritare.net

 

Fraksion.com