AktualitetBota+Të fundit

Presidenti iranian thotë se veprimet e Izraelit “mund t’i detyrojnë të gjithë” të veprojnë

Presidenti iranian Ebrahim Raisi deklaroi se bombardimet e vazhdueshme të Izraelit ndaj Gazës “mund t’i detyrojnë të gjithë” të veprojnë. Deklarata është kërcënimi më i fundit i Republikës islamike që kur ka filluar konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.

Izraeli po bombardon territorin palestinez që kur pjesëtarët e armatosur të Hamasit sulmuan vendbanimet e pjesës jugore të Izraelit më 7 tetor dhe vranë mbi 1,400 njerëz, shumica e të cilëve civilë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Që atëherë, mbi 8,000 njerëz janë vrarë në Gaza, gjysma e të cilëve fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë në enklavën e qeverisur nga Hamasi, një territor i varfër ku jetojnë 2.4 milionë njerëz.

“Krimet e regjimit zionist kanë kapërcyer vijat e kuqe dhe mund të nxisin të gjithë të veprojnë,” shkoi Presidenti iranian Raisi në platformën sociale X të dielën.

“Uashingtoni kërkon nga ne të mos ndërmarrim ndonjë veprim, por po vazhdon t’i japë përkrahje gjithëpërfshirëse Izraelit,” tha ai.

“Shtetet e Bashkuara i dërguan mesazhe ‘aksit të Rezistencës’ por morën një kundërpërgjigje të qartë në fushëbetejë,” shkroi ai, duke përdorur emërtimin që zyrtarët iranianë shpesh e përdorin për t’iu referuar Republikës Islamike dhe aleatëve të saj si grupit militant Hezbollah në Liban si dhe grupeve militante në Jemen, Irak dhe Siri.

Ndonëse nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë zhvillimesh po i referohej, një sërë sulmesh janë kryer ndaj forcave amerikane në Irak dhe Siri krahas shkëmbimeve të shpeshta të zjarrit ndërmjet Hezbollahut dhe forcave izraelite në kufirin me Libanin që kur lufta filloi në Gaza.

Irani, që mbështet financiarisht dhe ushtarakisht Hamasin, i quajti sulmet e 7 tetorit të suksesshme.

Por që atëherë Irani ka insistuar se nuk është i përfshirë në sulmin gjatë të cilit 230 persona u morën peng, sipas autoriteteve izraelite.

“Irani e konsideron detyrë të vet të mbështesë grupet e rezistencës, por … grupet e rezistencës janë të pavarura në mendimin, vendimin dhe veprimin e tyre,” Presidenti iranian i tha televizionit Al Jazeera të shtunën gjatë një interviste, sipas pjesëve të shkëputura, të botuara nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

“Shtetet e Bashkuara i dinë shumë mirë aftësitë tona të tanishme dhe e dinë që është e pamundur të tejkalohen,” tha ai./VOA

 

Fraksion.com