AktualitetBota+Të fundit

Lufta Izrael-Hamas ndikon në Panairin e Librit në Frankfurt

Me deklaratat e tij për konfliktin Izrael-Hamas filozofi slloven, Slavoj Zizek, nxiti gjatë ceremonisë së hapjes të panairit reagime të disa të ftuarve.

Zizek tha në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së Panairit të Librit të Frankfurtit se i dënon sulmet terroriste të Hamasit ndaj popullatës izraelite. Hamasi klasifikohet si organizatë terroriste nga Izraeli, SHBA, Gjermania dhe vende të tjera. Sulmet terroriste janë një krim i tmerrshëm dhe Izraeli ka çdo të drejtë të mbrohet. Por ne duhet të dëgjojmë edhe palestinezët dhe të marrim parasysh sfondin e tyre, nëse duam të kuptojmë konfliktin, theksoi filozofi. Në Lindjen e Mesme nuk mund të ketë paqe pa zgjidhur çështjen e Palestinës.

Gjatë fjalës së tij disa të ftuar u larguan disa herë nga salla në shenjë proteste – ndër ta ishte edhe i ngarkuari i landit Hesen për antisemitizmin, Uwe Becker. Fjalimi i Zizekut u ndërpre. Becker, i cili u kthye në fund i shoqëruar nga politikanë lokalë nga Frankfurti, e akuzoi Zizekun për relativizimin e krimeve të Hamasit.

Zizeku e kundërshtoi këtë. Ne mund të flasim për çdo gjë, pra edhe për të drejtat dhe vuajtjet e palestinezëve, tha pas ngjarjes Becker-i për agjencinë gjermane të shtypit. Por fjala e lirë ka “një kufi aty ku relativizon, banalizon dhe barazon gjërat në një kontekst ku ato nuk mund të barazohen”, tha i ngarkuari i landit Hesen për antisemitizmin, Uwe Becker.

Zizek: “Edhe më vjen pak turp që jam këtu”

Para ndërprerjes së fjalës filozofi slloven kishte kritikuar në fjalimin e tij “ndalimin e analizës” së konfliktit Izrael-Hamas. Ai tha se të gjithë folësit e mëparshëm kishin folur për Izraelin, por askush nuk kishte folur për palestinezët. Ai e konsideron “skandaloz” vendimin për shtyrjen e ceremonisë së dhënies së çmimit letrar LiBeratur 2023 për autoren palestineze Adania Shibli dhe mosdhënien e saj gjatë panairit të librit. Zizek-u tha “jam krenar që jam në panairin e librit, por edhe më vjen pak turp që jam këtu”.

Drejtori i Panairit të Librit të Frankfurtit, Juergen Boos, u përpoq të shpërshkallëzonte situatën në fund të fjalimit të Zizek-ut duke thënë, se “lirinë e fjalës duhet ta lejojmë këtu, gjë që është e rëndësishme për mua.” Ndërprerja e një fjalimi duhet të jetë e mundur, tha ai, duke shtuar se është i lumtur “që e dëgjuam deri në fund fjalimin, edhe nëse nuk na pëlqen. Edhe nëse madje e dënojmë atë. Është e rëndësishme që të dëgjojmë njëri-tjetrin.”

Panairi i librit 2023 është një ngjarje politike më shumë se kurrë. Sipas organizatorëve, Indonezia dhe Malajzia e anuluan pjesëmarrjen e tyre. “Ky është një reagim ndaj solidaritetit tonë me Izraelin”, tha një zëdhënës i panairit të librit. Por gjithashtu është e qartë se panairi është edhe në anën e palestinezëve që vuajnë nën Hamasin./dw

 

Fraksion.com