AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Kërkesa e Osmanit për ndihmë nga SHBA për draftin e asociacionit, pozitive

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një konferencë për shtyp se, kërkesa e ndihmës që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i drejtoi SHBA-së për draftin e asociacionit është pozitive dhe është një hap më në fund, në drejtimin e duhur nga ana e Kosovës.

“Më vjen mirë po ashtu që dje presidentja Osmani ka kërkuar publikisht ndihmën e SHBA për draftin e asociacionit. Unë nuk e di cili është mendimi i aleatëve të mëdhenj strategjikë të Kosovës dhe të Shqipërisë për këtë kërkese, por në thelb kërkesa e presidentes së Kosovës është pozitive dhe është një hap më në fund, në drejtimin e duhur nga ana e Kosovës”, tha Rama.

“Një draft i asociacionit të komunave me shumicë serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës duhet të vihet në tryeze një orë e më parë, dhe unë e përsëris atë që kam thënë këtu kur kam folur për draftin që unë i kam dërguar autoriteteve më të larta në Bashkimin Europian, Francë dhe Gjermani. Nuk ka pikë rëndësie kush e shkruan, me kë e shkruan, me kë e propozon. Ka rëndësi vetëm një gjë; drafti të përmbushë kërkesën legjitime që ka procesi i dialogut, bazuar mbi një marrëveshje të nënshkruar mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, se qeveritë shkojnë e vijnë, shtetet serioze nuk shkojnë e vijnë, i rrinë marrëveshjeve që kanë nënshkruar dhe e përsëris, të përmbushë nevojën që të jetë brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës”, tha Rama.

“Në mbyllje dua të them, Kosova sot, më shume së para se të ndodhte tragjedia që ndodhi, duhet ta kërkoje me këmbëngulje dialogun, duhet ta besojë me gjithë mend dialogun, duhet ta synojë me të gjitha energjitë përfundimin me sukses të dialogut. Plani franko-gjerman është akoma në tryezë. Them akoma sepse historia mëson që kur i bën shumë naze një marrëveshjeje se do më shumë edhe pse marrëveshja mund të jetë shumë e mirë, tjetra që vjen më prapa, mund të jetë më e keqe. Këtë mëson historia. Është historia e konflikteve, është historia e zgjidhjeve të konflikteve, është historia e atyre që në fund i vënë vulën mënyrën si zgjidhen konfliktet dhe duam ne, s’duam ne, janë fuqitë e mëdha që për fat të mirë, ata që duhen ndër ta, Kosova i ka me vete. Të besosh të kundërtën dhe të presësh që të bëhet më keq se do bëhet më mirë, është iluzioni më fatal në këtë situatë dhe në këtë kontekst gjeopolitik dhe historik ku ndodhemi ne shqiptarët, ku ndodhet rajoni, ku ndodhet Europa”, theksoi Rama.

 

Fraksion.com