Uncategorized

11 Inspektorë të IKMT nën hetim për shpërdorim detyre

11 Inspektorë të Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit (IKMT) janë vendosur nën hetim nga Policia e Tiranës. Shkak për këtë është bërë një kontroll i kryer nga inspektorët në një subjekt privat, në shkelje të urdhrit përkatës.

Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, bëhet me dije se vetëm 4 Inspektorë kishin urdhër për të kryer kontrollin, ndërkohë që në subjektin privat janë shfaqur 11 inspektorë.

“Më datë 24.07.2023 është paraqitur pranë Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë një subjekt privat dhe ka kallëzuar se ditën e sotme, në objektin e tij, janë paraqitur 11 inspektorë të IKMT-së, dhe vetëm 4 prej tyre kishin urdhër për kryerjen e inspektimit në terren”, njofton Policia e Tiranës.

“Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, janë shoqëruar 11 shtetasit e mësipërm, të cilët pas deklarimeve përkatëse dhe komunikimit me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, janë proceduar në gjendje të lire”, vijon njoftimi.

“Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.”, përfundon njoftimi i Policisë së Tiranës.

 

Fraksion.com