Dhuna për guroren në Krujë, policia zbarkon në banesën e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja! Në kërkim djali i tij e 2 vëllezërit
Policia e Shtetit ka zbarkuar ditët e fundit në banesën e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja për gjetjen e 6 personave të shpallur në kërkim për dhunën ndaj dy kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja. Mësohet se pas përfundimit të procedurave të lënies së mandatit të deputetit, policia bëri kontroll me vendim gjykate.
Burime bëjnë me dije se brenda banesës së Rrahman Rrajës nuk janë gjetur sende të jashtëligjshme, por as personat e shpallur në kërkim, djali Rexhep Rraja, vëllezërit Flamur dhe Xhelal Rraja, Përparim Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta. Në vijim, policia ka kryer edhe kontrolle të tjera për arrestimin e tyre, por asnjëri nuk është lokalizuar. Aktualisht të gjithë figurojnë brenda vendit, por kjo nuk e përjashton mundësinë e një largimi në mënyrë të jashtëligjshme.
Kujtojmë se me marrjen e detyrës së re, ministri i Brendshëm Taulant Balla, kërkoi nga drejtuesit e policisë që të arrestojnë djalin dhe vëllezërit e deputetit të dorëhequr të PS-së Rrahman Rraja, pas ngjarjes shokuese në Fushë-Krujë, ku fisi Rraja përfshirë dhe djalin e deputetit, ushtruan dhunë me shkopinj gome dhe bejsbolli ndaj Bilbil dhe Jashar Majës, vetëm për faktin se ishin ankuar se gurorja e fisit Rraja në Borizanë po shkatërronte shtëpitë.
Dhuna për guroren
Anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth. Mesditën e 6 korrikut 2023, ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësyu lokalin dhe ata bien pre e një dhune barbare.
Gurorja është në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili kishte leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet, por pas ngjarjes gurorja u bllokua. Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, policia ka lënë në burg 3 persona, ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre Rexhep Rraja djali i deputetit dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.
Fraksion.com