Shtetet e Bashkuara sanksionojnë politikanin serb Aleksandar Vulin
Shtetet e Bashkuara shpallën të martën sanksione ndaj politikanit serb Aleksandar Vulin, i cili drejton Agjencinë serbe të Zbulimit, për përfshirje në aktivitete korruptive dhe destabilizuese, që dëmtojnë sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor.
Departamenti amerikan i Thesarit tha se përcaktimi i Aleksandar Vulinit “nënvizon vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbajtur përgjegjës ata që janë të përfshirë në marrëveshje korruptive dhe që çojnë përpara agjendat e tyre politike dhe interesat personale në kurriz të paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor.
“Veprimet e sotme mbajnë përgjegjës Aleksandar Vulinin për veprimet e tij korruptive dhe destabilizuese që po ashtu kanë lehtësuar veprimtaritë keqdashëse të Rusisë në rajon”, tha nënsekretari i Thesarit Brian E.Nelson, duke nënvizuar se Departamenti i Thesari “nuk do të ngurrojë të përcaktojë që abuzojnë me pozitat e tyre për përfitime personale duke dëmtuar qeverisjen efektive dhe demokratike në Ballkanin Perëndimor”,
Në një njoftim të këtij departamenti thuhet e Aleksandar Vulin ka qenë i përfshirë në krimin e organizuar transnacional, operacione të paligjshme të narkotikëve dhe keqpërdorim të detyrës publike. Ai ka mbajtur një marrëdhënie të dobishme të ndërsjellë me tregtarin serb të armëve Slobodan Teshic, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, duke ndihmuar në sigurimin që dërgesat e paligjshme të armëve të Teshiçit mund të lëvizin lirshëm nëpër kufijtë e Serbisë.
Veprimet e Vulinit kanë çuar përpara korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse të Serbisë. Këto veprime përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit të tij për përfitime personale dhe përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës.
Ai, thuhet në njoftim, ka përdorur postet e tij publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar veprimtaritë keqdashëse të Rusisë që dëmtojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor dhe duke i ofruar Rusisë një platformë për të çuar më tej ndikimin e saj në rajon.
Aleksandar Vulin, një politikan pro rus ka shërbyer si ministër i Brendshëm i Serbisë në qeverinë e mëparshme dhe mbante postin e ministrit të Mbrojtjes më herët. Asnjë nga këto institucione qeveritare serbe nuk është objektiv i sanksioneve të sotme amerikane.
Në dhjetor të vitit 2022 ai mori detyrën e drejtorit Agjencisë serbe të zbulimit.
Si ministër i Brendshëm i Serbisë, Vulin vizitoi Moskën në muajin gusht të vitit të kaluar, një vizitë e rrallë nga një zyrtar shtetëror evropian, që nënvizoi refuzimin e Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak te agresionit të saj në Ukrainë.
Serbia, e cila kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, prej vitesh po shmanget nga rruga e saj drejt BE-së duke u orientuar drejt aleatit tradicional sllav, Rusisë, si dhe Kinës.
Aleksandar Vulin ka thënë se Serbia duhet të braktisë përpjekjet e saj të anëtarësimit në BE dhe t’i drejtohet Moskës, duke i sulmuar shpesh shtetet fqinje të Serbisë dhe udhëheqësit e tyre dhe duke i quajtur me emra përçmues. Atij i është ndaluar hyrja në Kroaci, anëtare e BE-së.
Ai e ka mbrojtur krijimin e të ashtuquajturës “Bota Serbe” – një kopje e “Botës Ruse”, që do të bashkonte të gjithë serbët në Ballkan nën një flamur të udhëhequr nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
Në vitin 2021 Vulin thuhet se kishte krijuar një “grup pune” me Nikolai Patrushevin, sekretarin e fuqishëm të Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, për të luftuar “revolucionet me ngjyra” – një seri protestash masive që ndonjëherë çuan në përmbysjen e regjimeve autokratike kryesisht në Lindjen e Mesme dhe në Azi.
Mediat e pavarura serbe kishin raportuar se në takimin e tyre në Moskë Vulin i dorëzoi Patrushevit përgjimet nga një takim në Beograd të anëtarëve të opozitës ruse.
Menjëherë pas takimit të Beogradit, disa pjesëmarrës u arrestuan në Rusi. Vulin ka mohuar t’i ketë dorëzuar përgjimet Patrushevit./VOA
Fraksion.com