AktualitetBota+Të fundit

Olaf Scholz bën thirrje për bashkëpunim me Jugun global

Potenciali për bashkëpunim të barabartë global “nuk ka qenë kurrë më i madh”, theksoi kancelari gjerman në Samitin e Zgjidhjeve Globale.

Mbrojtja e klimës, migrimi, reduktimi i varfërisë – rendi ndërkombëtar po përballet me sfida të mëdha. Në të njëjtën kohë, potenciali për bashkëpunim të barabartë global “nuk ka qenë kurrë më i madh”, theksoi kancelari gjerman Olaf Scholz në Samitin e Zgjidhjeve Globale. Ai u ndal në bashkëpunimin me vendet e Jugut Global.

Bota është shumëpolare, kështu që ne tani duhet të veprojmë në përputhje me rrethanat – deklaroi kancelari Scholz në Samitin e Zgjidhjeve Globale në prag të samitit të G7.

Rendi botëror më gjithëpërfshirës dhe i balancuar

Në fjalën e tij, Scholz shtroi pyetjen se si mund të mbajmë një rend ndërkombëtar të bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare në shekullin e 21-të. Kancelari gjerman tha se pjesë e zgjidhjes është një rend botëror më gjithëpërfshirës dhe më i balancuar se më parë.

Nëse duam t’i inkurajojmë vendet e Jugut Global për të ndërtuar dhe mbrojtur një rend botëror paqësor dhe të qëndrueshëm së bashku me Evropën dhe botën, atëherë duhet t’i përfshijmë këto vende më shumë se më parë. Kancelari gjerman tha se për këtë do të bëjë fushatë personalisht në samitin e ardhshëm të G7 dhe në samitin e G20 në shtator.

Termi “Jug Global” përfshin vendet që më parë quheshin vende në zhvillim ose ekonomi në zhvillim. Shumica e këtyre vendeve janë në Afrikë, Amerikën Latine dhe Jugore dhe Azi. Në Samitin e Zgjidhjeve Globale në Berlin, pjesëmarrës nga politika, shkenca, organizatat joqeveritare dhe biznesi diskutojnë sfidat globale. Më pas ata i adresojnë rekomandimet e tyre vendeve të G20 dhe G7.

Vendet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës nuk duhet të kenë përshtypjen “se ne po u afrohemi vetëm sepse jemi të interesuar për lëndët e para të tyre ose duam të marrim mbështetjen e tyre për një rezolutë të OKB-së”, tha më tej kancelari Scholz. Popullsia dhe ekonomitë në rritje në Jugun Global “presin përfaqësim në nivel të barabartë”.

Kjo duhet të reflektohet, ndër të tjera, në shpërndarjen e posteve në organizatat ndërkombëtare, si edhe në politikën tregtare të Bashkimit Evropian. Lëndët e para duhet të përpunohen gjithnjë e më shumë në vendet e tyre të origjinës dhe jo vetëm të nxirren prej andej nga disa vende, tha Scholz.

Gjatë presidencës së saj të G7 vitin e kaluar, Gjermania i përfshiu qëllimisht krerët e shteteve dhe qeverive të Jugut Global. Partneriteti për infrastrukturën globale, aleanca për sigurinë globale të ushqimit dhe mburoja globale mbrojtëse ndaj rreziqeve klimatike për vendet që janë veçanërisht të goditura ishin rezultate konkrete të këtyre takimeve.

Partneritete në interes të ndërsjellë

Partneritetet me interes të ndërsjellë me shumë vende të ndryshme janë gjithashtu në interes të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian. Varësia nga ofruesit individualë dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit mund të parandalohen përmes diversifikimit. Kancelari gjerman theksoi se potenciali për bashkëpunim të barabartë global nuk ka qenë kurrë më i madh.

Këto forma të reja bashkëpunimi mund të japin gjithashtu një kontribut në mbrojtjen e klimës, “sepse shumë vende afrikane e shohin tranzicionin e energjisë edhe si shans”, tha Scholz. Ai tha se u bind vetë për këtë gjatë një vizite në Afrikën Lindore. Kenia, për shembull, së shpejti do t’i bashkohet klubit ndërkombëtar të klimës – një iniciativë gjermane e G7 që po ecën përpara me zbatimin ambicioz dhe të shpejtë të Marrëveshjes së Parisit për klimën.

Kancelari Scholz tha se ka ftuar në Berlin shtetet afrikane më 20 nëntor për të promovuar iniciativën e G20 “Kompakti me Afrikën”. Qëllimi i nismës është të stimulojë rritjen ekonomike në Afrikë dhe të krijojë stimuj për investimet e sektorit privat./DW

 

Fraksion.com