Asnjë rezultat nga takimi Bislimi-Petkoviq në Bruksel
U diskutuan një sërë temash, por nuk pati asnjë rezultat për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë si dhe Aneksit të saj. Ky ishte epilogu i një takimi të gjatë më 15 maj të zhvilluat në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ngecje në zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit që u mbajt në Bruksel, në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi. Sipas tij, gjatë javës së kaluar, i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak dërgoi në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente “që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e zbatimit të Deklaratës për të Zhdukurit që tashmë është nënshkruar”. Po ashtu si duhet të vazhdohet “me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Mirëpo në këtë pikë, gjithnjë ka ngecje.
“Në marrëveshjen që arritëm në Ohër, thuhet qartë se asnjë nga nenet nuk mund të kushtëzojnë nenet e tjera dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka gatishmëri nga BE-ja që t’i ikë një dokumenti që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publikuar në ueb-faqen e tyre”, tha kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi, pas përfundimit të takimit disa orësh në Bruksel, duke mos bërë të ditur, nëse do të ketë takime të sërishme megjithë paralajmërimet e ndërmjetësit Lajçak.
Petkoviq: Kosova e bën të pakuptimtë rrjedhën e dialogut
Kurse për palën serbe, tema e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është prioritet, ndonëse Prishtina zyrtare, nuk e sheh si të tillë. Për këtë temë sipas kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, nuk është e lehtë të bisedohet me Prishtinën. “Kur duhej të bisedonim për çështjet e rëndësishme, siç është zbatimi i mëtejshëm i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështja e të pagjeturve, gjegjësisht se çfarë dhe si të bëhet më tutje pas Deklaratës për Personat e Zhdukur, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç është liria e lëvizjes, për çështjet që kanë të bëjnë me vetë jetën e serbëve në Kosovë, dhunën institucionale të Kurtit, e cila ndodh ndaj serbëve çdo ditë, sulmet e Policisë së Kosovës, të shtënat mbi serbët e shumë të tjera, për këto, z. Bislimi nuk donte të jepte kurrfarë përgjigjesh konkrete”, tha Petar Petkoviq duke u ankuar për homologun e tij kosovar që sipas Petkoviq, “përpiqej ta bënte të pakuptimtë rrjedhën e dialogut”.
Megjithëkëtë mospajtim ndërmjet Bislimit dhe Petkoviq, ndërmjetësi i BE-së në dialog, Miroslav Lajçak, shkroi në Twitter, se “takimi i 15 majit, synoi që të qartësonte çështjet e hapura” dhe paralajmëroi se “diskutimet do të vazhdojnë”. Lajçak takoi ndaras kryenegociatorët Bislimi dhe Petkoviq, dhe para këtyre takimeve ai kishte shkruar se “është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit”.
Hapi tjetër – takime të grupeve të punës
Në fillim të këtij muaji, dy liderët kryesorë të Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Abin Kurti dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq u pajtuan dhe e nënshkruan një deklaratë të përbashkët për të zhdukurit nga lufta në Kosovë. Por ata kishin kundërshtime të ashpra rreth një drafti për Asociacionin e komunave me shumicë sebe që ekipi menaxhues i Kosovës që përbëhej nga katër serbë, e prezantoi para tyre. Vuçiq pajtohej, por për kryeministrin Kurti, drafti i Asociacionit ishte në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.
Sidoqoftë, megjithë mospajtimet, Bashkimi Evropian, sipas ndërmjetësit Lajçak, pret që pas takimit të ditës së djeshme Bislimi-Petkoviq, të ketë edhe takime të grupeve punuese dhe të ekspertëve, por edhe të komisionit të përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj./DW
Fraksion.com