“Shqipëria në momentet më të vështira të ekzistencës”, Berisha: Zgjedhjet e 14 majit, jetike për të rikthyer pluralizmin
Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së Sali Berisha ka prezantuar sot kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Shijakut, Rezeart Tusha.
Në fjalën e tij, Berisha ka folur për situatën ekonomike në vend dhe largimin e të rinjve si emigrantë.
“Sot Shqipëria kalon ndër momentet më të vështira të ekzistencës së saj, në kuptimin që në 8 vite nga Shijaku janë larguar më shumë se 1/3 e banorëve, pavarësisht se Shijaku është një tokë e bekuar, një truall i bekuar, një truall me pasuri. Toka e Shijakut po të përdorim një term të vjetër, është një Misir i vërtetë. Kodrat e tij janë fantastike, ujërat e tij. Çdo gjë e këtij rrethi ngjan me një parajsë tokësore. Megjithatë djemtë dhe vajzat e Shijakut, banorët e Shijakut, largohen, largohen dhe vetëm largohen nga Shijaku. Çfarë ka ndodhur, pse kjo braktisje e Shijakut dhe e Shqipërisë sot më e madhe se në çdo kohë, luftë, pushtim?”, u shpreh Berisha.
“Kjo është e vërteta. 33-35 % e shqiptarëve kanë ikur në 8 vite. As gjysma në përqindje në Ukrainë nuk kanë ikur pavarësisht nga lufta e tmerrshme dhe agresioni barbar i rusëve. Sot ne kemi një pushtim, ku qëndron, cili është ky pushtim. Ky pushtim është të gjitha pushtet e në dorë të një njeriu, cinik, hajdut dhe të pashpirt”, tha ai.
Po ashtu Berisha i konsideroi zgjedhjet e 14 majit si jetike për rikthimin e pluralizmit në vend.
“Ndaj dhe këto zgjedhje më 14 maj janë jetike, jo vetëm për vendosjen e një njeriu të ndershëm, të përkushtuar, një menaxheri të shkëlqyer që do të përdorë çdo qindarkë tuaj me transparencë më të madhe, që do të ndryshojë Shijakun, por janë jetike për të rikthyer pluralizmin në Shqipërisë. Sepse Rezearti, sepse kandidatët e primareve, kandidatët e qytetarëve në Shijak, Durrës, Kavajë, Tiranë dhe kudo, do t’i japin fund pushtetit të tij monist, do t’i japin fund pushtetit të një njeriu dhe çdo qytetar duhet ta ketë të qartë se 14 maji është një ditë e madhe në histori. Se zgjedhjet e 14 majit janë e jetës tonë. Me votën tonë ne kemi mundësi të rikthejmë pluralizmin”, tha Berisha.
Po ashtu, Berisha tha se vjedhjet e qeverisë shkatërruan ekonominë shqiptare, shkatërruan të rinjtë shqiptarë
“Pse ne po ikim nga Shqipëria? Çfarë po ndodh me ne? Pse të rinjtë po ikin? Sepse nuk gjejnë asnjë mundësi, asnjë perspektivë të ndërtojnë jetën në këtë vend. Kjo është arsyeja, jo se nuk e duan Shqipërinë, e duan Shqipërinë. Ikin, sepse dara e varfërisë shtrëngohet çdo ditë e më shumë mbi familjet shqiptare. Sot doli statistika e Bankës Botërore. Çfarë tregonte? Vetëm 20 % e atyre që meritojnë ndihmë ekonomike, e merrnin atë nga qeveria. 80 % nuk ndihmoheshin. Çfarë do të bëjnë këta njerëz, të durojnë çdo ditë dhimbjet e skamjes dhe mjerimit? Jo! Do të shkojnë të përpiqen për të ndërtuar të ardhmen e tyre”, tha ai.
Fraksion.com