AktualitetTë fundit

Shtyhet seanca për Fatmir Mediun, do të jetë 5 ditë para zgjedhjeve lokale

Shtyhet për më 9 maj ora 14:00 seanca për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu të akuzuar për shpërdorim detyre për çështjen Gërdeci.

Shkak u bë kërkesa e prokurorisë pasi nuk ishte gati për të dhënë konkluzionet.

Avokatet e ish-ministrit kërkuan pushim të çështjes për efekt parashkrimi. Sipas tyre, kanë kaluar 12 vite nga fakti penal, ndaj sipas tyre Mediu nuk mund të merret i pandehur.

“Pas gati 2 vjetësh hetime të reja të SPAK-ut që prodhuan zero rezultat, çështja është e pamundur për të vijuar më tej për shkak të parashkrimit”, tha avokati Ardian Visha.

GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar, ndërkohë Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.

 

 

Familja Durda, e cila humbi djalin e saj 7-vjeçar në shpërthimin famëkeq të Gërdecit ishte në sallë, por nuk u pranua nga GJKKO si palë në gjykim. Ndërkohë avokati i familjarëve të viktimave të Gërdecit në një prononcim për media tha se është e paarsyeshme që të mos jenë në seanca.

“Duhet të jemi pjesë e procesit deri në fund. Nuk e kuptoj pse gjykata e posaçme po vepron kështu.
Nuk arrijmë dot akoma ta kuptojmë pse. Por arsyeja që mendoj më shumë është se nuk do që ky proces të hyjë në detaje që ne do i sillnim, ndërkohë që gjykata do t’i bjerë shkurt dhe nuk do detaje, arsye tjetër nuk kuptoj se mund të ketë.

Dëmi ekonomik erdhi nga shpërthimi. I njëjti shpërthim solli dhe viktima. Akuzat e ngritura ndaj ish-ministrit nuk kanë sens”, tha avokati.

 

Fraksion.com