AktualitetBota+Të fundit

Protesta në Itali pas mbytjes së 75 emigrantëve

Mijëra persona morën pjesë në një marshim solidariteti në qytetin italian të Cutros të shtunën, për të përkujtuar 75 emigrantët që humbën jetën si pasojë e fundosjes së një varke më 26 shkurt.

Mes atyre që protestuan kundër qëndrimit të qeverisë për emigracionin ishin edhe drejtues të pushtetit vendor si dhe presidentja e organizatës “Emergjenca” Rossella Miccio.

Zonja Miccio tha është detyrë e qeverisë të përballojë çështjen e emigrantëve, duke marrë masa të sigurta dhe ligjore, pasi ashpërsimi i dënimeve ndaj trafikanëve nuk do të ndalojë kalimin e paligjshëm.

Pasquale Figliomeni, një aktivist nga Crotone tha se “Njerëzit vazhdojnë të vdesin në det, ne duhet të ndalojmë këto masakra, këto vrasje.”

Agjencia Evropiane e Ruajtjes së Kufijve, FRONTEX tha se në dy muajt e fundit, kalimet e rrezikshme në Detin Mesdhe janë dyfishuar, të dhënat flasin për më shumë se 12,000 kalime të paligjshme. Muajin e kaluar, shifrat u trefishuan krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 7,000.

Agjencia e Emigracionit e OKB-së vlerëson se rreth 300 njerëz kanë vdekur, janë zhdukur dhe supozohet se kanë vdekur përgjatë rrugës së rrezikshme të Mesdheut qendror këtë vit.

Protesta vjen në kohën kur më shumë se 3,000 emigrantë kanë mbërritur në ishullin italian të Lampedusas gjatë ditëve të fundit./VOA

 

Fraksion.com