AktualitetPolitikëTë fundit

Rama paralajmëroi se një tjetër person do shpallet non-grata nga SHBA, reagon ambasada amerikane në Tiranë

Sot gjatë mocionit për debat për çështjen McGonigal, kryeministri Rama deklaroi se “shumë shpejt do të ketë një tjetër të shpallur non grata”.

“Si mund ta mendoni që SHBA furnizohen nga unë dhe gjiza ime’, vazhdoi Rama duke iu referuar informacioneve që e shpallën ‘non grata’ Sali Berishën.

“Ju presim më 14 maj për të na mundur siç na keni mundur gjatë këtyre 9 viteve. Deri atëherë, kujdes se byrektorja vijon punën, gjiza ka arritur dhe hokllaia po ushtron brumin tjetër për tavën që pret të hyjë në furrën e rindezur. Personin në fjalë do e shihni vetë”, tha Rama.

Pas kësaj deklarate “Lapsi.al” i është drejtuar ambasadës së SHBA në Tiranë me pyetjen: Kërkojmë një koment nga ju për deklarimin e kryeministrit Rama në Kuvend se do këtë një non-grata tjetër”.

 

 

Nuk kaluan as 40 minuta dhe erdhi përgjigjja e shoqëruar me një link. Sipas zyrës së shtypi të ambasadës qëndrimi qe i njëjtë me atë që kryediplomatja Yuri Kim kishte thënë në një intervistë me Erla Mëhillin në janar 2022.

“Shikoni, thuajse çdo javë, dakord, jo çdo javë, por çdo muaj, shoh një artikull apo ndonjë gazetar që thotë: e di kush është personi tjetër që do shpallet; do të ketë përcaktime. Me gjithë respektin, them se ky është një proces shumë konfidencial dhe do të habitesha vërtet shumë nëse deklaratat e tyre do të bazoheshin në informacion faktik, të besueshëm”, kishte deklaruar ambasadorja Kim.

Për pyetjen tjetër, se a ka të drejtë kryeministri të flasë në emër të SHBA, nuk pati asnjë koment. /Lapsi.al

 

Fraksion.com