AktualitetBota+Të fundit

Pakistan, talebanët vrasin tre oficerë policie

Autoritetet në Pakistan njoftuan se të enjten militantët kishin bërë një sulm me bomba dhe armë ndaj një poste policie në veriperëndim të vendit, duke vrarë tre anëtarë të forcave të sigurisë.

Grupi i jashtëligjshëm Tehrik-i-Taliban Pakistan (TTP), të njohur ndryshe edhe si talebanët e Pakistanit, mori përgjegjësinë për sulmin e bërë gjatë natës në distriktin Khyber, në kufi me Afganistanin.

Shefi rajonal i policisë, Imran Khan, u tha gazetarëve se të paktën katër persona të armatosur rëndë, ndër ta edhe personi që bëri shpërthimin vetëvrasës, sulmuan objektin në mënyrë të koordinuar dhe shkaktuan viktima.

“Hapën zjarr dhe hodhën granata dore ndaj oficerëve të policisë, përpara se njëri prej sulmuesve të hidhte veten në erë. Bashkëpunëtorët e tij arritën më vonë të largoheshin”, tha zoti Khan.

Talebanët pretenduan më vonë në një deklaratë se vetëm personi që vrau veten kishte sulmuar postën e policisë, megjithëse ky grup ka qarkulluar edhe më parë deklarata me detaje të fryra për sulmet e tij.

Talebanët në Pakistan kanë bërë sulme vdekjeprurëse në vend për mbi 15 vjet, me synimin për të vendosur atë që e quajnë “sistem islamik” në Pakistan, duke vrarë dhjetëra mijëra njerëz.

Në nëntor, talebanët anulluan një armëpushim që ishte vendosur me qeverinë prej disa muajsh, duke ndërprerë bisedimet për paqe mes palëve dhe duke shkaktuar një intensifikim të sulmeve të militantëve në mbarë vendin.

Bisedimet ndërmjetësoheshin nga talebanët e Afganistanit, që kur morën kontrollin e vendit në gusht 2021.

Talebanët e Pakistanit janë degëzim dhe aleatë të ngushtë të talebanëve të Afganistanit. Drejtuesit qëndrojnë në Afganistan, dhe Islamabadi thotë se kjo shërben si një burim tensionesh në marrëdhëniet me Kabulin.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë organizatën e talebanëve të Pakistanit si një organizatë globale terroriste./voa

 

Fraksion.com