AktualitetPolitikëTë fundit

“Kamerat në Shkodër”, Berisha: ‘Syri i Cikllopit’ ndjek qytetarin. Policia bën të paditurin ose….

Kreu i PD-së Sali Berisha u ndal sot edhe tek rasti i Shkodrës ku u ç’montuan 21 kamera të vendosura në shtylla elektrike nga grupe kriminale për të ndjekur lëvizjet e policisë. Berisha tha se qytetarët janë vendosur në ‘Syrin e Cikllopit’ dhe se policia bën rolin  bashkëpunëtorit ose bën sikur nuk di gjë.

Sipas tij një sistem kamerash të tilla janë vendosur nga organizatat kriminale edhe në Vlorë, Elbasan e në Korçë. Kudo jeni të filmuar tha ai.

“Mafia është ajo që sundon kudo. Krimi është ai që vendos. Ai ka bajlozët e tij, të përfaqësuar me Edi Ramën në qeveri. Krimi ka përfaqësues në parlament me Ballën e Gjiknurin. Krimi ka përfaqësues Erion Veliajn në Bashkinë e Tiranës.

Krimi vendos kudo. Njëlloj si në narko-shtetet më të konsoliduara në histori, në Amerikën Latine, rrugët, sheshet e qyteteve tona janë të vendosura tërësisht, në çdo metër katror në kontrollin e syrit të ciklopit.  Kamerat e vendosura nga organizatat kriminale, të cilat bashkëpunojnë ngushtë me segmentet e tyre në polici dhe institucionet e tjera.

Vendosja e Shkodrës në një sistem kamerash të specializuara nga organizatat kriminale, është dëshmia më flagrante e gjithë fuqisë së mafias në këtë vend. Mendoni ju se është vetëm Shkodra? Absolutisht jo. Është çdo pjesë e këtij territori. Shkoni në Vlorë, nisuni në Elbasan, në Korçë, kudo jeni të filmuar”, tha Berisha.

 

Fraksion.com