Kosovë, plagosen dy të rinj serbë në komunën e Shtërpcës
Policia e Kosovës njoftoi të premten se dy persona janë plagosur në fshatin Drajkovc të komunës së Shtërpcës, një komunë e banuar me shumicë serbe, rreth 50 kilometra në jug të Prishtinës.
Sipas policisë të plagosurit janë të moshës 11 dhe 21 vjeçare dhe u qëlluan me armë zjarri nga të dyshuar që nga një makinë që po lëvizte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe të cilët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia njoftoi se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohen në spitalin e Graçanicës afër Prishtinës ndërsa tha se ka arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33 vjeçare në lidhje me plagosjen.
Mediat serbe identifikuan të plagosurit si Millosh dhe Stefan Stojanoviç nga komuna e Shtërpcës.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se në këtë rast është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Plagosja ngjalli reagime të shumta të udhëheqësve të institucioneve vendase e ndërkombëtare.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani përmes një komunikate tha se plagosja e të rinjve 11 dhe 21 vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm, ndaj autori duhet të vihet para drejtësisë. “Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t`u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e dënoi ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë.
“Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, shkroi kryeministri Kurti në rrjetet sociale, duke nënvizuar se policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim.
I unequivocally condemn the assault on two Kosova citizens today in Shtërpcë. A suspect has been arrested & will be dealt w/ promptly & fairly by our justice system. I commend Kosova Police for its quick action & full engagement in ensuring the safety of all, w/o discrimination.
— Albin Kurti (@albinkurti) January 6, 2023
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott u shpreh i shqetësuar për sulmin ndërsa tha se mirëpret arrestimin e shpejtë të dyshuarit.
Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, John Rohde dënoi sulmin dhe mirëpriti siç tha reagimin e shpejtë të policisë së Kosovës.
Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, i “dënon fuqishëm të shtënat nga një makinë në lëvizje afër Shtërpcës më herët gjatë ditës së sotme, ku dy persona u plagosën. Reagimi i shpejtë i Policisë së Kosovës për të arrestuar të dyshuarin është i mirëseardhur dhe përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë”, thuhet në reagimin e kësaj organizate në të cilin theksohet se për aktet e tilla të dhunës “duhet të ketë zero tolerancë”.
1/2
We condemn in the strongest terms the drive-by shooting near Štrpce/Shtërpce earlier today, in which two people were injured. Swift Kosovo Police action in arresting an alleged perpetrator is welcome and must be followed up by those responsible being brought to justice.— OSCE Kosovo (@OSCEKosovo) January 6, 2023
Në orët e mbrëmjes, të premten, disa qytetarë serbë janë mbledhur në fshatin Gotovushë, afër Shtërpcës, për të protestuar ndaj incidentit ku u plagosën dy të rinjtë.
Në shenjë proteste, në këtë fshat, ata bllokuan për disa orë rrugën që çon për në Shtërpcë.
Në vendin ku protestuarn qytetarët serbë, të pranishëm ishin edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Rreth orës 23:00, pengesat e vendosura në rrugë janë larguar.
Policia e Kosovës, më herët ka njoftuar se dy të lënduarit janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë, ata janë dërguar me ambulancë për tretman të mëtejmë mjekësor në Graçanicë.
Sipas informacioneve të policisë, të dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.
Fraksion.com